Arsim Bajrami anashkalon Presidenten (Dokument)

  • 09 October 2015 - 12:02
Arsim Bajrami anashkalon Presidenten (Dokument)

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Arsim Bajrami ka nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare, qindra milionëshe, pa aprovim paraprak nga presidentja e vendit, Ahtifete Jahjaga, edhe pse ka qenë i obliguar me ligj.

Ai pa kërkuar autorizimin nga presidenca, në mesin e muajit shtator, (18 shtator) në Split të Kroacisë, nënshkruajti marrëveshjen për themelimin e Qendrës së Ballkanit Perëndimor për Hulumtime dhe Inovacione.

E gati një javë pasi u përfundua gjithçka, mësohet se Qeveria e Kosovës filloi procedurat për të kërkuar leje nga e para e shtetit që të nënshkruhet një marrëveshje e tillë.

Sipas ligjit, para se dikush nga zyrtarët shtetëror të Kosovës të bëjë ndonjë marrëveshje, duhet të kërkoj autorizim nga presidentja e vendit. Ligji për marrëveshjet ndërkombëtare e parasheh këtë.

Në nenin e 7 të tij, ky ligj i jep kohë presidents 15 ditë kohë për ta shyqrtuar kërkesën deri në marrjen e vendimit për aprovim.

“Autorizimet nënshkruhen nga Presidenti dhe Ministri i Punëve të Jashtme”, specifikon ky ligj.

Por ministri, Arsim Bajrami duket se nuk ka pritur kaq gjatë.

Ministri Bajrami e dha nënshkrimin e tij në mesin e nënshkrimeve edhe të ministrave të arsimit të shteteve fqinjë si Shqipërisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi.

Kjo Qendër parashihet të promovojë mobilitetin e hulumtueseve të rinj dhe kandidatëve për doktoratë në kuadër të rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe mes rajonit dhe vendeve tjera.

Për këtë marrëveshje u dha jehonë e madhe nga Ministria në medie.

Por, merret vesh se pesë ditë pasi që zyra për informim e MASHT-it njoftoi për nënshkrimin e saj, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e datës 23 shtator, mori vendim që të aprovohet propozimi i ministrisë së Arsimit për t`i rekomanduar Presidentes aprovimin për nënshkrim.

“I rekomandohet Presidents së Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit për nënshrkimin e marrëveshjes…Konform afatit të përcaktuar në ligjin për marrëveshjet ndërkomëbëtare”, thuhet në këtë vendim.

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës ende nuk është përgjigjur, sepse u nënshkrua marrëveshja pa aprovim paraprak edhe pas katër ditë pritjeje.

E kontaktuar edhe zyra e Presidentes për të kuptuar nëse është marrë vendimi pas kërkesës nga Qeveria, nuk kanë dhënë ndonjë sqarim.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ministri Bajrami kishte theksuar se  themelimi i kësaj qendre është një mundësi shumë e mirë për partneritetin e hulumtuesve tanë dhe si rezultat edhe për zhvillimin ekonomik të vendeve tona.

“Ne kemi nevojë si shtete të reja të ngrisim standardin e hulumtimit shkencor dhe inovacionit”.

Sipas komunikatës për media themelimi i kësaj Qendre dhe asistenca teknike rajonale për të është e paraparë edhe në kuadër të Strategjisë Rajonale të Ballkanit Perëndimor për Shkencë dhe Hulumtim në të cilën është e përfshirë edhe Kosova, raporton gazeta Fjala.

Dhe se  Bashkimi Evropian do të mbeshtesë këtë qendër me 200 milionë euro, fond në të cilin do të mund të përfitojnë përmes projekteve edhe hulumtuesit kosovarë.

komunikatavendimi i qeverise per marreveshjen