Ambasadorët e Quint-it: Veprimet antidemokratike në Kuvend, të papranueshme

  • 09 October 2015 - 13:46
Ambasadorët e Quint-it: Veprimet antidemokratike në Kuvend, të papranueshme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe përfaqësuesit e BE-së në Kosovë.

“Ambasadorët shprehën shqetësimin e vendeve të tyre për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës nga veprimet e partive opozitare. Ata i dhanë mbështetje të plotë Kryetarit Veseli dhe e përgëzuan për lidershipin e vendosur demokratik të treguar në drejtimin e Kuvendit në situatën aktuale”, thuhet në njoftimin për media nga Zyra e Kryeparlamentarit.

Ambasadorët theksuan se për vendet e tyre janë të papranueshme veprimet që cënojnë parimet dhe vlerat e demokracisë, mbi të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë institucionet e Kosovës. Më tutje ata theksuan se të tilla veprime antidemokratike rrezikojnë të dëmtojnë përpjekjet e Kosovës për të ecur më shpejt në rrugën e saj evropiane.

Nga ana e tij Veseli falënderoj ambasadorët për përkrahjen e tyre duke theksuar se Kosova ka qenë, është dhe do të jetë një storie e partneritetit me vendet mike perëndimore.

Më tutje Veseli theksoi nevojën për një angazhim më proaktiv të të gjithëve, brenda këtij partneriteti, në mënyrë që vendi të ecë përpara dhe skenarët e destabilizimit e të kthimit pas të mos kenë rast të jetësohen.

Veseli në takim premtoi se do të vazhdoj kursin e përpjekjeve për të gjetur një rrugë komunikimi e dialogu me opozitën, në mënyrë që demokracia parlamentare të mos cenohet dhe vendi të ecë përpara.

“Qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë që të shtyhen drejt konfrontimit të rrugës për shkak të mospajtimeve brenda klasës politike”, tha Veseli .

Ai theksoi më tutje se është koha e fundit që Bashkimi Evropian të japë shenja konkrete të shpresës dhe hapa konkret në afrimin e Kosovës me BE-në, sepse nuk janë serbët apo pakicat tjera rreziku i Kosovës, por varfëria dhe izolimi.

(Kosova Sot)