Krasniqi: Qeverisja e vendit më neveritëse se veprimet e opozitës

  • 09 October 2015 - 17:18
Krasniqi: Qeverisja e vendit më neveritëse se veprimet e opozitës

Ish-kryeparlamentari Jakup krasniqi, tashmë udhëheqës i partisë Nisma Për Kosovën i ka quajtur të neveritshme veprimet e opozitës në Kuven, por ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka pasoja më të thella e më neveritëse se veprimet e opozitës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi ka thënë se ata që veprimet e opozitës i quajnë neveritëse duhet të shohin qeverisjen neveritëse, keqpërdorimin e parasë publike e marrëveshjet shkatërruese për vendin, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Më tej ai ka shkruar se nga kjo qeverisje qytetarët po detyrohen të largohen nga vendi.

Ja postimi i plotë i Krasniqit në Facebook:

TE NEVERITSHMET TONA?!

Nuk ka asnjë dyshim, gjuajtja me vezë, me gazë lotsjellës, udhëheqja e Kuvendit nga deputetët, të gjitha janë neveritëse. Por, por, çka i shkaktoj, kush i solli dhe si erdhën këto neveri? A po ju shkon në mendje atyre që po neveriten sesa të thella e më sa pasoja neveritëse, denigruese, poshtëruese e komprometuese janë punët e tyre politike, përfshirë edhe bisedimet dhe marrëveshjet që ata i bënë me Serbinë në Bruksel?

A janë ulur për të menduar shqip, këta të neveritur sesa neveritëse është të qeverisurit dje e të qeverisurit sot me pasurinë kombëtare e publike, me paranë e tatimpaguesve te Kosovës, me procesin e privatizimit? A e dinë këta dëlirë e matrapazë sesa e kanë denigruar sistemin e arsimit, shërbimin shëndetësor, deri dhe listat e veteranëve të luftës e ndihmat sociale?

Vërtetë, këta që neveritën sot nga veprimet e opozitës në Kuvend, nuk i shohin marrëveshjet shkatërruese për vendin e gjeneratat e ardhshme që i nënshkruan në Bruksel edhe duke shkelur rëndë mbi nderin dhe dinjitetin e deputetëve – përfaqësuesve të popullit të cilët i kanë bërë si lecka?!

A nuk e shohin këta njerëz, se me qeverisjet e tyre prej hajdutesh, dje e sabotuan luftën dhe sot kanë mbledhur gjithë sojin e sabotatorëve, për ta kthyer Serbinë në Kosovë?

A nuk e shohin veten këto figura politike me fytyra të maskuara se me qeverisjen e tyre neveritëse, poshtëruese e degraduese, përditë i detyrojnë qytetarët e Kosovës, përmes dyerve te armikut shekullor ta kërkojnë shpëtimin në botën demokratike?

Pse disa intelektualë e në mesin e tyre edhe “intelektualë” kafshor, nuk shqetësohen e neveriten me poshtërimet që përditë ua bëjnë: qeveritarët e përfaqësuesit e pa dinjitetshëm që janë bërë si bibat e bibanët, sot kështu nesër ashtu?

Po thonë nuk është demokratike veprimi i opozitës?! Po a është demokratike marrja e vendimeve që reflektojnë për breza dhe të mos të pyetej opozita dhe qytetarët? Atëherë pse u bë Lufta Çlirimtare në Kosovë, pasi ata që e përfaqësonin asokohe “popullin” e Kosovës, donin ta ndërtojnë demokracinë nën çizmen e policit e të xhandarit serb? Pse atëherë nuk heshtën edhe ata që po heshtin sot bash si palaço?

Se për sabotatoret e luftës dje, nuk ia vlen ta themi as edhe një fjalë të vetme. Ata edhe sot nuk dinë ti nderojnë luftëtarët e vërtetë të kombit e të çlirimit, por nuk ngurojnë ti kujtojnë e nderojnë sojin e tyre te sabotatorëve të luftës çlirimtare e dëliret e drogës, të cilët edhe i shpallen heronj?!

Rasti më eklatant, ndonëse jo i vetmi, është rasti i Shqipe A. Jasharit, e zv. Drejtores se Departamentin për çështje njerëzore në PTK (Vala). Kjo është dëshmia më e mirë se këta njerëz, me vrap po shkëputën nga brumi që ua dha pushtetin. Këta tani pushtetin po e ndajnë me servilë, puthadorë e sabotatorë?! Të cilët s’përtojnë të te sulen egersisht, ndaj cilido që guxon t’ua prek me fjalë shefin e pa gabueshëm e fuqi plotë.

Këtu nuk kemi të bëjmë me sistem demokratik, por me sundim të egër despotik.