10 vjet burg mësuesit për keqpërdorim seksual të nxënëses së tij

  • 09 October 2015 - 21:52
10 vjet burg mësuesit për keqpërdorim seksual të nxënëses së tij

Mësuesi Sh.H. është dënuar me 10 vjet burg për keqpërdorim seksual të personave nën moshën 16 vjeçe.

Sh. H. është dënuar më 5 tetor nga Gjykata Themelore e Ferizajt. Ai ishte mësimdhënës në Shkollën “Emin Duraku” në Shtime, ndërsa qe arrestuar më 11 shkurt të këtij viti.

Avokati i tij Skender Musa dënimin e cilësoi të rëndë, ndërsa paralajmëroi ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Mendoj se gjykata nuk ka prova për një vendim për ta shpallur fajësinë, dënimi është një dënim i rëndë, por ne mendojmë se nuk ka prova dhe ne si mbrojte së bashku me klientin tjetër do të bëjmë ankesë në Gjykatën e Apelit dhe mendojmë se Apeli do të korrigjojë aktgjykimin e shkallës së parë”, tha Skender Musa.

Avokati Musa më tej tha se gjatë procesit ka pasur shkelje të natyrave të ndryshme.

“Ka gabime edhe në aspektin procedural, edhe shkelje esenciale, mirëpo gjendja faktike nuk është vërtetuar në asnjë formë dhe në mënyrë të veçantë shqyrtimi i provave dhe deklaratat e dëshmitarëve”, tha Musa.