Për zgjedhje të reja duhet “bekimi i Dragodanit”

  • 10 October 2015 - 09:18
Për zgjedhje të reja duhet “bekimi i Dragodanit”

Ngjarjet e seancës së 8 tetorit dhe eskalimi i situatës, madje edhe kërcënimet e opozitës se nuk do të ndalen vetëm me këto forma siç i kanë quajtur ata “simbolike”, të bllokimit të Kuvendit duket se nuk do ta dërgojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Të paktën kështu vlerësojnë analistët politik në vend, sipas së cilëve edhe përkundër dëshirës së opozitës për të pasur zgjedhje të reja, për mbajtjen e tyre duhet pajtimi i pozitës dhe “bekimi” nga “Dragodani”.

Për analistin Artan Muhaxhiri, deklaratat e fundit nga zyrtarë ndërkombëtarët se janë kundër mbajtjes së një palë zgjedhjeve të reja janë vendimtare lidhur me këtë proces, pasi që sa herë në vend ndërmerren veprime të mëdha për të ndryshuar skenën politike, duhet miratimi nga ana e miqve ndërkombëtar.

Një ndihmës e madhe sipas tij në realizimin e dëshirës së opozitës për zgjedhje do të ishte nëse ata do të mund të realizonin një protestë masive ku do të merrnin pjesë mbi 50 mijë qytetarë. Kjo sipas Muhaxhirit do tëishte një motiv i fort për opozitën për të realizuar qëllimin e saj, e që është dërgimi i vendit në zgjedhje të parakohshme.Por kjo sipas Muhaxhirit vështirë se mund të ndodh.

As për Fidan Kalan nga FOL, opsioni i zgjedhjeve nuk është në “tavolinë”, pasi që për mbajtjen e tyre duhet pëlqimi nga ana e partisë më të madhe në vend, PDK-së.

E për zgjedhjet dhe mundësinë e organizimit të tyre në Komisionit Qendror Zgjedhor thonë se do të flasin atëherë kur ato të shpallen nga presidentja e vendit.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në një prononcim të përmes telefonit për KosovaPress ka thënë se derisa të shpallen zgjedhjet nuk do të flas se a është i gatshëm apo jo KQZ për të organizuar zgjedhjet në aspektin teknik.

Kundër mbajtjes së zgjedhjeve janë deklaruar edhe dy ambasadorët më të rëndësishëm në vend, ai i SHBA-veGreg Delawie, dhe ajo e Gjermanisë Angelika Viets, transmeton kp.

Sipas ambasadores gjermane Viets me zgjedhjet të parakohshme, Kosova mund të harrojë liberalizimin vizave, vullnetin e donatorëve, investitorëve dhe të diasporës.