72 vite burg 6 shqiptarëve në Londër, importuan 500 kg drogë

  • 10 October 2015 - 09:32
72 vite burg 6 shqiptarëve në Londër, importuan 500 kg drogë

Gjashtë shtetas shqiptarë, pjesë e një organizate kriminale që sipas policisë kishin importuar në Angli drogë, vlera e së cilës kapte 166 milionë stërlina, janë dënuar me 72 vite burg në total.

Këto dënime, ata i morën pasi pranuan akuzat që në seancën e parë gjyqësore, për konspiracion në shpërndarjen e drogës së cilësisë së parë.

Ata u arrestuan pas një operacioni disamujor të policisë Metropolitane londineze, i koduar si “Operation Bayban”.

Nga hetimet e policisë rezultoi se, kjo organizatë kriminale kishte mundur të importonte në ishull 500 kg kokainë, me vlerë 166 milionë stërlina.

Besnik Berisha u identifikua si personi që importonte drogën, nëpërmjet një automjeti tip “IVECO HGV”. Çdo dy javë, ai fuste në Angli nga 50 kg drogë, të cilën ia dorëzonte Marijan Kolajt, Shpëtim Xhamxhiut dhe Xen Muçajt, transmeton mapo.

Të dënuarit janë:

Besnik Berisha, 57 vjeç, me 14 vite burgim,

Xen Muçaj, 39 vjeç, me 16 vite burg,

Akili Ismalaj, 30 vjeç, i cili përdorte edhe identitetin si Antonios Kontaktsis, me 15 vite burg,

Marijan Kolaj, 20 vjeç, me 10 vite e 6 muaj burg,

Shpëtim Xhamxhiu, 33 vjeç, me 9 vite burg,

Denis Cangu, 23 vjeç, i cili njihej edhe si Emilio Longhi, me 7 vite e 6 muaj burgim.