Studentja shqiptare: Si i mësova mikeshës serbe “shqiponjën”

  • 10 October 2015 - 10:03
Studentja shqiptare: Si i mësova mikeshës serbe “shqiponjën”

Grupi prej 50 studentësh serbë që erdhën për të parë ndeshjen qëndruan tri ditë në shtëpitë e studentëve shqiptarë.

Është bisedoi me studenten e UET-it, Xheni Konduri, e cila kishte mysafire, Teodora Pavkoviç.

Ajo tregon për frikën dhe ankthin e ditës së parë të Teodorës, ndjenja me të cilat ishte nisur nga Serbia dhe porositë pafund të prindërve, dhe për miqësinë e bukur që vendosën gjatë kohës që ndenjën bashkë.

Pas tri ditësh mikesha e saj e re iku me premtimin që do vinte sërish në Tiranë dhe e ftoi atë në shtëpinë e saj, në qytetin e saj në Suboticë.

“Është e vështirë të vish në Shqipëri për herë të parë, por kur vjen, kërkon të kthehesh përsëri”, i tha serbja duke lënë pas frikën dhe ankthin e kotë që mori me vete kur u nis.

Gjatë dy orëve në stadium, Teodora mësoi si të bënte simbolin e shqiponjës me duar dhe këndoi këngët tradicionale shqiptare me Xhenin dhe grupin e studentëve të tjerë.

“Ne drejtojmë ndryshimin!” ishte motoja që udhëhoqi projektin, i cili u kurorëzua në datat 7, 8 dhe 9 tetor me pjesëmarrjen e  studentëve serbë që u pritën nga studentë e gjimnazistë shqiptarë në familjet e tyre.

“Unë mendoj që ne jo vetëm e drejtuam këtë ndryshim, por edhe ishim mbartës të këtij ndryshimi”, – thotë Xheni.

Mbërritja e studentëve serbë në familjet shqiptare vuri në njëfarë mënyre në provë një nga normat e pashkruara tonat tradicionale, mikpritjen.

“Mikja ime serbe ishte jo vetëm një studente e përgatitur, por edhe një nga vajzat më të çiltra që kam njohur. Besoj se jo vetëm shoqja ime serbe, por edhe bashkatdhetarët e tjerë të saj të akomoduar nga studentë të tjerë shqiptarë, përjetuan një moment të veçantë në takimin me kryeministrin Rama, kur si të thuash, mikpritja u verbalizua tashmë zyrtarisht, në mënyrën më të ngrohtë”.

Për momentet e kaluara në “Elbasan Arena”, ajo shprehet: “Të tregohem e sinqertë, ankthi na shoqëroi deri në fund, jo vetëm për rezultatin në fushë, por edhe për ndonjë thirrje të pamenduar mirë me konotacion agresiv apo politik. Megjithatë, ashtu si ne dimë ta tregojmë mençurinë në situata të vështira, nuk pati asnjë provokim, asnjë incident”.

Por të rinjtë ishin argëtuar ashtu siç dinë vetëm ata ta bëjnë këtë.

“Ndër minutat më të bukura gjatë ndeshjes, ishin ato kur miqtë tanë serbë po këndonin këngët tona tradicionale dhe po na kërkonin neve që t’u mësonim formimin e shqiponjës me pëllëmbët e duarve”, thotë ajo për mapon.

“Morëm ftesa të përzemërta nga studentët serbë për t’ua kthyer vizitën e tyre në Serbi. Mund të them se entuziazmi dhe dashamirësia e tyre ato tri ditë e shkrinë plotësisht ankthin tonë të natyrshëm të ushqyer nga ngjarjet politike. Në fund, të gjithë formuam nga një zemër me duart tona për të simbolizuar sinqeritetin e bashkimit me njëri-tjetrin”, – përfundon Xheni Konduri tregimin për përvojën e saj.