Studentët bëjnë pazare me vendet e tyre në konvikte

  • 10 October 2015 - 13:05
Studentët bëjnë pazare me vendet e tyre në konvikte

U ballafaquan me konkurrencën për të fituar vendin për banim në konvikte, por pas fitimittë vendit në konvikt studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërmjet studentësh po bëjnë pazare me vendin e tyre.

E ky pazarllëk ndërmjet studentëve ka bërë që drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta të shpreh shqetësimin ndaj këtij keqpërdorimi, ndryshe ai tha se vendosja e studentëve për vitin akademik 2015/2016 ka shkuar në rregull.

Studentët banues të konvikteve kanë thënë se kushtet nuk janë edhe aq të këqija por problem kryesor për ta ende po mbetët mungesa me ujë të ngrohtë.

Studentët kanë treguar se vendosja në konvikte për ta ka qenë zgjidhja më e mirë, për arsye se është më lehtë për të studiuar, si dhe pagesa për banim është më e lirë.

Me studentët ka dalur i kënaqur edhe drejtori Sfishta, i cili tha se gjithçka ka shkuar në rregull me pranim e studentëve në konvikte, dhe se secili studentë është pranuar në bazë të kritereve të kërkuara.

Për studenten Albana Dermaku, edhe pse është viti i parë që banon në konviktet thotë se është fillimi për të por që kushtet nuk janë të këqija.

Ndryshe nga studentja Albana Demaku e cila ishte për të parën herë në konvikt, studenti Fatmir Bytyqi, tash e tri vite ka zgjedhur që të banojë në konvikt, e që sipas tij kushtet janë më të mira për banim.

Për studentin, Valton Kelmendi problem po është furnizimi me ujë të ngrohtë. Edhe për Kelmendin kushtet në konvikt nuk janë shumë të mira. Ai tha se mundësitë për të studiuar janë më të favorshme.

Duke pasur parasysh se sa i vjetër është ndërtimi i konviktit numër një,udhëheqësi i këtij konvikti Afrim Gashi thotë se kushtet e banimit për studentët janë solide. Ai tha se disiplina e studentëve është në nivel dhe se rregullorja e konviktit po respektohet me përpikëri.

Gjithashtu, Fatmir Sfishta ka treguar se dëmet në konvikte nga studentët në vitin akademik 2014/2016 kanë qenë maksimalisht të ulëta. Ai thotë se studentët e kanë kuptuar që konviktet janë pasura e tyre dhe se ata po e ruajnë këtë pasuri, transmeton kp.

Vendosja e 3550 studentëve në konvikt ka përfunduar me datën 07.10.2015, ndërsa dy ditë ishte procesi për ankesat e studentëve, ankesa këto të cilat janë publikuar ditën e premte.