Vret gruan me kosë në kokë dhe e fsheh kufomën, zbulohet nga e bija pas 20 orësh

  • 10 October 2015 - 15:04
Vret gruan me kosë në kokë dhe e fsheh kufomën, zbulohet nga e bija pas 20 orësh

Në gjendje të dehur vret bashkëshorten me kosore dhe nuk i tregon askujt. E lë kufomën e të ndjerës në dhomën e gjumit dhe pasi sigurohet që ka mbyllur mirë derën e jashtme, qëndron në kuzhinë për rreth 20 orë, derisa zbulohet nga e bija. Ky është skenari i krimit makabër që ka ndodhur në një familje të Fierit, ndërkohë që policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit, Arqile Fili, 62 vjeç, i cili nuk ka bërë asnjë rezistencë gjatë ndalimit.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë dyshohet se ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, në lagjen “15 tetori” të qytetit të Fierit, kur 62-vjeçari Fili ka vrarë me mjet prerës bashkëshorten e tij 60-vjeçare, Goni Fili. Nga hetimet e deritanishme dhe deklarimet që i janë marrë autorit është mësuar se ai është kthyer në shtëpi në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes, pasi kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli. Për këtë arsye, bashkëshortja e ka kritikuar duke i thënë që të mos i shpenzonte paratë për pije alkoolike, pasi jetonin në vështirësi ekonomike. Por, këto kritika të bashkëshortes e kanë nxehur 62-vjeçarin i cili ka humbur kontrollin dhe pasi e ka qëlluar me pëllëmbë ka marrë një kosore që e mbante në shtëpi dhe e ka goditur në kokë e në qafë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Pasi autori e ka kuptuar se bashkëshortja kishte ndërruar jetë e ka transportuar trupin e saj në dhomën e gjumit, ndërsa vetë ka qëndruar në kuzhinë. Ai ka mbyllur dyert dhe dritaret e shtëpisë dhe nuk i ka treguar askujt për krimin që kishte kryer.

Zbulimi

Nga burime të policisë është bërë e ditur mbrëmjen e djeshme se rreth orës 18:00 së të premtes është gjetur e vrarë me mjete prerëse 60-vjeçarja Goni Fili. Ka qenë vajza e të ndjerës ajo e cila ka lajmëruar policinë se kishte humbur kontaktet me të ëmën e të atin që prej mbrëmjes së të enjtes dhe se dera e shtëpisë së tyre ishte e mbyllur. Vajza e të ndjerës ishte e martuar dhe jetonte me familjen e saj, por gjatë ditës së djeshme ajo ka telefonuar të ëmën e cila nuk i është përgjigjur. Edhe pasi ka provuar sërish ta telefonojë askush nuk e ka ngritur telefonin nga ana tjetër. Për këtë arsye ajo ka shkuar në shtëpinë e prindërve, por dera ka qenë e mbyllur. Pasi ka thërritur dhe nuk është përgjigjur askush nga brenda shtëpisë, ajo ka lajmëruar policinë e cila ka hapur derën dhe ka gjetur në banesë 62-vjeçarin Arqile Fili dhe në dhomën e gjumit bashkëshorten e tij të pajetë. Menjëherë policia ka shoqëruar 62-vjeçarin i cili mësohet të mos e ketë mohuar kryerjen e krimit. Ndërkohë, nga deklarimet që ka dhënë e bija dhe familjarët e tjerë së të ndjerës është mësuar se të moshuarit kishin pasur konflikte të herëpashershme me njëri-tjetrin. Nga burime të gazetës është bërë e ditur se, 62-vjeçari konsumonte pije alkoolike ndërsa bashkëshortja e tij i tërhiqte gjithmonë vërejtjen për këtë gjë. Por, pavarësisht dhunës fizike dhe psikologjike që ai kishte ushtruar prej kohësh, e moshuara nuk e kishte denoncuar. Dy të moshuarit jetonin të vetëm dhe në gjendje të vështirë ekonomike në një shtëpi private në lagjen “15 Tetori” në qytetin e Fierit. Ndërkohë, djali dhe vajza e tyre ishin martuar dhe nuk jetonin me ta prej vitesh.