Molliqaj: Shala është bërë mbrojtës i të drejtave dhe lirive të ShIK-ut

  • 10 October 2015 - 17:08
Molliqaj: Shala është bërë mbrojtës i të drejtave dhe lirive të ShIK-ut

Debati dhe akuzuat nga distanca në mes të Dardan Molliqaj nga VV dhe Behxhet Shalës, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, janë duke vazhduar.

Molliqaj i cili mbrëmë e kishte quajtur Shalën anëtar të ShIK-ut, ka vazhduar me akuza ndaj Shalës, pasi ky të shtunën ka thënë se Molliqaj është anëtarë i UDB-së serbe.

Molliqaj ka thënë se Shala ka folur në dobi të VV-së në vitin 2007, vetëm pse PDK ishte në opozitë, por sipas tij, nga momenti kur PDK ka marr pushtetin, Shala e ka kthyer KMDLNJ-në në Këshill për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të ShIK-ut.

Ja reagimi i plotë i Molliqaj”

Behxhet Shala thotë se dikur e ka përkrahur Lëvizjen VETËVENDOSJE! prandaj tash ne duhet ta pranojmë atë kur na kritikon e akuzon. Kjo është e palogjikshme. Ai ka bërë mirë kur na ka përkrahur dhe e ka tejet gabim që po na akuzon. Në fakt, ai nuk na ka përkrahur neve dikur, por atëbotë e ka thënë të vërtetën për dhunën policore mbi protestuesit tanë, kurse tash po gënjen kur thotë se në seancën e së enjtes në Kuvend nga një gaz lotsjellës është “rrezikuar jeta e të gjithë deputetëve”.

Ishte edhe më i ashpër se Thaçi i cili foli për rrezikimin e shëndetit por jo edhe të jetës. Qartazi, Behxhet Shala po bëhet asistent dhe dëshmitar i prokurorisë për ta akuzuar Albin Kurtin me të njëjtën akuzë sikurse në vitin 2007: tentim i shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm. Ky është kuptimi i gënjeshtrës së tij se të enjten “është rrezikuar jeta e të gjithë deputetëve”.

Nëse Behxhet Shala ka folur fjalë miradije për VETËVENDOSJE!-n në vitin 2007 kjo ka qenë vetëm për shkak se PDK-ja ishte në atë kohë në opozitë. Kur PDK-ja erdhi në pushtet, Behxhet Shala u kap për bishtin e Hajredin Kuçit dhe të Elmi Reçicës. Prej asaj kohe dalëngadalë ai e shndërroi KMDLNj-në në Këshill për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të ShIK-ut. E kur PDK-ja ishte gati të dalë në opozitë, Behxheti u bë sulmuesi më i madh i VLAN-it dhe sufleri kryesor i Thaçit. Jo rastësisht ai ka kohë që endet rrugëve të Prishtinës me një xhip të zi të madh e të shtrenjtë si dhe pat blerë shtëpi e truall atje te fshati ndërkombëtar në periferi të qytetit duke u bërë fqinj i Thaçit, atje ku po instalohen nomeklatura e regjimit me familjet e tyre.

Behxhet Shala edhe vetë e pranoi afërsinë me krerët e ShIK-ut në reagimin e tij, pra me Latif Gashin, Elmi Reçicën dhe Kadri Veselin. Mirëpo, disa ditë më parë, një ish agjent i ShIK-ut na pat informuar neve në Lëvizje se Elmi Reçica, njeriu nr.2 në ShIK, ka shkuar shpesh te Behxhet Shala në shtëpi për darkë dhe i ka ndarë detyra atij. Elmi Reçica kontrollon biznese të ndryshme në Ferizaj e Prishtinë dhe vëllau i tij besohet që i përket një grupi mafioz që vepron në Çeki dhe që ka lidhje me shërbimet sekrete të rajonit e të cilat e realizuan skenarin për masakrën në Kumanovë me 9 maj 2015. (Po ashtu, Behxhet Shala nga Kadri Veseli ka marrur detyrë speciale që Adem Demaçin ta mbajë sa më larg VETËVENDOSJE! duke e vizituar shpesh, duke e dezinformuar dhe duke ia humbur kohën Bacës Adem me gjepura).