Gjykata e Tenderëve vërteton dallaveret e Shpend Ahmetit në tenderin 2.6 milionësh

  • 13 October 2015 - 16:07
Gjykata e Tenderëve vërteton dallaveret e Shpend Ahmetit në tenderin 2.6 milionësh

Ndërtimi i kolektorit betonarme dhe kanalizimit fekal në rrugën mbi lumin “Prishtina” të kryeqytetit nuk do të nisë ashtu siç ishte paraparë nga drejtuesit e Komunës. Në fakt, këto parashikime i kanë prishur vetë udhëheqësit Komunës së Prishtinës, duke bërë dallavere në tender.

Shkeljet ligjore në këtë tender, që kap vlerën e mbi 2 milionë e 600 mijë eurove, i ka vërtetuar edhe “Gjykata e Tenderëve”, ku edhe ka rekomanduar që ai ke kthehet në rivlerësim.

Këtë vendim OSHP e ka marrë pasi në këtë institucion është deponuar një ankesë nga kompanitë konkurruese, “Noti-Ilea” dhe “GR-H-B Consulting”, të cilët kanë pretenduar se janë eliminuar padrejtësisht. OSHP po ashtu ka treguar se Komuna e Prishtinës ka shpërblyer me tender kompaninë “Beni Com” nga Prishtina, e cila edhe ishte më e shtrenjtë për 400 mijë euro.

“Anulohet vendimi i Komunë se Prishtinës lidhur me procedurën e prokurimit me titull ‘Ndërtimi i kolektorit betonarme dhe kanalizimit fekal në rrugën mbi lumin Prishtina’, me nr. të prokurimit PR61/15/163/5, si i pa bazuar”, thuhet në vendimin e OSHP. Në këtë vendim po ashtu urdhërohet Komuna e Prishtinës që procedurën e këtij tenderi ta kthejë ne rivlerësim dhe në bazë të ligjit të prokurimit publik të vërtetohet qarkullimi bankar i kompanisë ankuese.

“Komuna ta kthejë këtë tender në rivlerësim dhe konform nëntit 72 të LPP-së të vërtetohet qarkullimi bankar, lidhur me transaksionit e OE ankues dhe ne afat prej 19 ditës ta njoftojë me shkrim panelin shqyrtues lidhur me zhvillimin e procedurave të prokurimit”.

Paneli shqyrtues pas shqyrtimit dhe vlerësimit të gjitha fakteve ka vlerësuar dhe rekomanduar se tenderi të kthehet në rivlerësim. Këtë vendim paneli thotë se e ka marrë duke pasur parasysh se edhe kompanitë ankuese janë më të lira për 400 mijë euro se sa kompania që është shpërblyer me tender.

“Andaj paneli shqyrtues, duke pas parasysh edhe çmimin më të lirë të OE ankues (Mbi 400.000.00 euro), vendosi që ky aktivitet i prokurimit të kthehet në rivlerësim dhe atë konform nenit 72 të LPP-së, AK-ja ta verifikojë qarkullimin bankar të OE ankues”, thuhet ne vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit. 

Komuna e Prishtinës fituesin e këtij tenderi e ka shpallur më datë 03.09.2015, kurse kontrata ishte paraparë të nënshkruhet më 14.09.2015. Në këtë tender kishin konkurruar tetë kompani.