Konkurset e kurdisura në Komunën e Malishevës (Dokument)

  • 13 October 2015 - 17:08
Konkurset e kurdisura në Komunën e Malishevës (Dokument)

Dallaveret në Komunën e Malishevës nuk kanë të ndalur. Një konkurs mjaft i dyshimtë ka ndodhur së fundi në këtë komunë. Në konkursin për Administrator të çerdhes për fëmijë në Malishevë, është përzgjedhur një kandidat i cili nuk i ka plotësuar kushtet e konkursit

Është publikuar lista e kandidatëve, ndërkohë që kandidati i përzgjedhur për këtë pozitë, Isak Kastrati, është i vetmi të cilit nuk i figurojnë kreditë e fituara nga kryerja e Fakultetit Juridik. Madje në konkursin në fjalë kanë aplikuar kandidatë me kualifikim edhe më të lartë se kandidati i përzgjedhur, por komuna ka vendosur për të. Tre prej kandidatëve kanë qenë me kualifikim master në Fakultetin Juridik. E për këtë nuk janë në dijeni zyrtarë të komunës së Malishevës.

I pyetur për këtë çështje, Drejtori i Arsimit, Blerim Thaçi nuk ishte në dijeni që kandidatit të përzgjedhur i mungojnë kreditë e fakultetit dhe se në konkurs ka pasur kandidat më të kualifikuar se personi i përzgjedhur.

Thaçi ka deklaruar se kandidati i përzgjedhur i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara me konkurs.

“Unë nuk kam qenë pjesë e komisionit, ata kanë vendosur që kandidati Isak Kastrati i plotëson të gjitha kriteret e konkursit”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka treguar se pjesë të komisionit kanë qenë drejtoresha e Çerdhes si dhe dy përfaqësues të Drejtorisë së Arsimit dhe Edukimit në Komunë.

Ndryshe në Komunën e Malishevës, e cila udhëhiqet nga Nisma për Kosovës e Fatmir Limës, nuk kanë munguar edhe më herët raportimet e mediave për punësime politike sidomos në arsim, konkretisht në shkollën e Kompetencës në Malishevë.

Burime të Express-it bëjnë të ditur se për konkursin e lartpërmendur, disa kandidatë kanë paditur komunën dhe janë në proces gjyqësor me të.

Dokument: Konkursi