Isa Mustafa flet për darkën e sontme me Aleksandar Vuçiq

  • 13 October 2015 - 18:34
Isa Mustafa flet për darkën e sontme me Aleksandar Vuçiq

Kryeministri Isa Mustafa ka treguar në Facebook për darkën e sontme me homologun e tij serb Aleksandar Vucic. Ai ka shpjeguar se me Vucic do të bisedoj për ecurinë e deritashme të bisedimeve në Bruksel. Ai po ashtu ka thënë se pala kosovare do të insistojë për zhbërjen e strukturave paralele.

Më poshtë mund të lexoni postimin e Mustafës.

Të dashur miq,

Kohë më përpara, unë si Kryeministër kam marrë një ftesë nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, zonja Federica Mogherini për një darkë të përbashkët pune, të martën, më 13 tetor 2015 në Bruksel, me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ne shkojmë të ftuar dhe në shtëpinë e mikut, ne ulemi me të ftuarit tjerë.

Zonja Mogherini ka luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e deritashëm të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo, institucionet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë garantë të këtij procesi.

Ne kemi mbështetjen e tyre të plotë që secila marrëveshje që arrihet të jetë në të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Gjatë kësaj darke pune, ne do të mund të bisedojmë për ecurinë e deritanishme të bisedimeve dhe lidhur me zbatimin e tyre në praktikë. Kosova është e barabartë në këtë proces dhe ne do të insistojmë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve.

Ne kemi dorëzuar në Bashkimin Evropian një raport lidhur me zbatueshmërinë e marrëveshjeve dhe presim nga Bashkimi Evropian të na mbështesë për krijimin e parakushteve për zbatimin e marrëveshjeve, ashtu siç janë nënshkruar.

Ne do të insistojmë në zhbërjen e strukturave paralele të Serbisë në tërë Kosovën. Ne do të këmbëngulim që Serbia të zbatojë marrëveshjet ashtu siç janë dhe do të jemi të vendosur të aplikojmë reciprocitetin nëse paraqitet nevoja.

Me procesin e bisedimeve në Bruksel, Kosova synon të përmbyllë problemet me të cilat përballet që prej përfundimit të luftës dhe të hapë perspektivën e saj zhvillimore dhe integruese. I.M