Algjeri: 18 të vdekur nga zjarri që përfshiu një qendër të emigrantëve

  • 24 November 2015 - 21:47
Algjeri: 18 të vdekur nga zjarri që përfshiu një qendër të emigrantëve

Si pasojë e një zjarri i cili përfshiu një qendër ku janë të strehuar emigrantët ilegalë nga Afrika në rajonin Vurkla të Algjerisë jetën e kanë humbur 18 persona, ndërsa 37 të tjerë janë plagosur.

Sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Algjerisë mësohet se një qendër ku qëndrojnë emigrantët afrikanë në orët e para të mëngjesit është përfshirë nga zjarr ku si pasojë jetën e kanë humbur 18 emigrantë ndërsa 37 të tjerë janë plagosur.

Në njoftim mes tjerash thuhet se ekipet e mbrojtjes civile kanë shuar zjarrin dhe se kanë transportuar për në spital personat e plagosur.

Kryetarja e Kryqit të Kuq të Algjerisë, Saida Benhabyles tha se në qendrën e strehimit ishin rreth 200 persona dhe se zjarri i cili ka përfshirë qendrën është si pasojë e shpërthimit të bombolave të gazit që ndodheshin aty, raporton AA

Burimet theksojnë se deri tek zjarri ka ardhur pasi që emigrantët kanë ndezur një zjarr në qendër për t’u ngrohur meqë ditëve të fundit është ftohur edhe moti, si dhe shumica e viktimave thuhet se janë shtetas të Malit.

Autoritetet algjeriane mbledhin emigrantët që hynë ilegalisht në vend dhe i strehojnë në qendrat e Kryqit të Kuq deri në riatdhesimin e tyre.

Në Algjeri rreth 25 mijë emigrantë ilegalë qëndrojnë në qendrat e strehimit.