Protesta masive kundër korrupsionit, krimit, zhvatjes dhe proceseve të dëmshme

  • 25 November 2015 - 07:34
Protesta masive kundër korrupsionit, krimit, zhvatjes dhe proceseve të dëmshme

Çfarë mendojnë qytetarët lidhur me gjendjen aktuale politike dhe protestat e radhës (2)

Korrupsioni, nepotizmi e dukuri të tjera negative janë bërë të zakonshme

Të anketuarit anembanë Kosovës shprehen se që nga përfundimi i luftës, pavarësisht se kush ka qeverisur, ka pasur aq shumë parregullsi, korrupsion, hajni e shumë veprime të tjera që kanë shkuar në dëm të qytetarëve, saqë është çudi se si ata janë përmbajtur deri më tash nga protestat. Ata shprehën se ka shumë arsye për të protestuar në Kosovë

Gazeta lidere, "Kosova Sot", u është drejtuar qytetarëve me disa pyetje për aktualitetin politik dhe protestën e radhës, për të parë se çfarë mendojnë ata për këtë gjendje. Pyetjet adresuar qytetarëve ishin këto: A mendoni se është degraduar Kosova nga pushtetarët e korruptuar, të cilët kanë qeverisur dhe vazhdojnë të qeverisin në mënyrën më të keqe dhe në dëm të qytetarëve me korrupsion, zhvatje dhe me paligjshmëri? Në këtë situatë të rëndë, a duhet të organizojë e të protestojë opozita e bashkuar së bashku me të gjithë qytetarët e pakë- naqur për të protestuar masovikisht kundër korrupsionit e krimit të organizuar, të instaluar nga të gjitha institucionet e shtetit, kundër monopoleve në biznes, kundër arsimit të degraduar, kundër shtetësisë së stërkequr me fajin e këtyre pushtetarëve, për një kauzë në mbrojtje të shtetit ligjor, të zhvillimit ekonomik, për punësime në masë dhe për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës? A konsideroni se ka ardhur koha në protestë me moton 'Të gjithë në protesta paqësore, me dinjitet në mbrojtje të shtetit ligjor dhe të të gjithë qytetarëve pa dallim'? Ja si janë shprehur disa qytetarë nga komuna e Ferizajt, Gjilanit dhe Prizrenit.

Protestat të jenë paqësore

Muharrem Mici, Gjakovë

Ka shumë arsye që të gjithë të ngrihemi në protestë. E vëreni se sa janë pasuruar politikanët tanë, të cilët nuk ia dinë skajin pasurisë së vet, në kohën kur popullata është gjithnjë e më e varfër, bile shpesh vuan edhe urie. Meqenëse këto janë arsyet për të cilat mendoj se duhet protestuar, kujtoj se protestën duhet ta organizojë shoqëria civile e jo partitë politike, sepse druaj që ato e kanë për qëllim që përmes protestës të vijnë vetë në pushtet. Kjo nuk do të më pëlqente sepse, dy nga tri partitë që tash gjenden në opozitë, kanë qenë në pushtet, po nuk kanë qenë aspak më të mira se këto që tash janë në pushtet. Kujtoj se protesta duhet të jetë sa më masive, në mënyrë që pushteti ta kuptojë se nuk është duke qeverisur mirë, por protesta gjithsesi duhet të jetë e qetë.

Kujtim Shala, Gjakovë

Ka kohë që qytetarët e Kosovës është dashur të fillojnë të protestojnë. Që nga përfundimi i luftës, pavarësisht se kush ka qeverisur, ka pasur aq shumë parregullsi, korrupsion, hajni e shumë veprime të tjera që kanë shkuar në dëm të qytetarëve, saqë është çudi se si ata janë përmbajtur deri më tash nga protestat. Mjafton të dalësh në rrugë dhe të shohësh një armatë të tërë të rinjsh që nuk munden kurrsesi të gjejnë punë dhe të bindësh se vërtet ka nevojë të protestohet që gjërat të ndryshohen. Nëse protestohet për keqpërdorime, korrupsion, nepotizëm dhe dukuritë e tjera negative, që tek ne janë bërë të zakonshme, unë do t'iu bashkëngjitesha protestave pavarësisht se Prishtina nuk është edhe aq afër... (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)