Vjedhja e fillimshekullit me tekstet, MASHT-i të japë llogari

  • 25 November 2015 - 07:38
Vjedhja e fillimshekullit me tekstet, MASHT-i të japë llogari

Skandali i zbardhur, drejtësia të mos bëjë sehir

25 milionë euro më tepër se kostoja e librave u dhanë e u zhvatën nga buxheti i shtetit 

Nëse MASHT-i do të punonte në të mirë të qytetarëve, do ta ruante buxhetin e shtetit dhe të qytetarëve , por një gjë e tillë nuk ishte as preokupim dhe as synim i zyrtarëve të lartë. Mirëpo, zyrtarët e MASHT-it kanë menduar më shumë për xhepat e vet, sesa për nxënësit ose për qytetarët kontribues të buxhetit të shtetit, që fatkeqësisht në emër të tyre kanë bërë hajninë më të madhe të këtij fillimshekulli, që do të mbahet mend si vjedhja më e madhe ndonjëherë me buxhetin për librat shkollorë

Tekstet shkollore të licencuara nga vetë MASHT-i, e që i janë shitur MASHT-it me një çmim mesatar gati të dyfishuar për 1.52 euro për ekzemplar, nuk do të duhej të shiteshin më shumë se me një çmim real të tregut kosovar rreth 0.80 euro. Në bazë të analizës së bërë me ekspertë të grafikës dhe njohës të shtypit, nga shtypshkronja e botues të kryeqytetit librat shkollorë, që përdoren nëpër shkollat e Kosovës, nuk kanë kosto mesatare më të madhe të shtypit (punues e përpunimit) sesa 0.26 euro për copë. Kjo bindje krijohet duke parë edhe peshën e librave, e të cilat janë 0.232 kg, e gjer te më e rënda që kap peshën 0.384 gramë. Duke parë këtë situatë apo realitet, shihet qartë se MASHT-i është (vetë)mashtruar nga shoqëritë oligarkike të lidhura me pushtetin me çmime gati të dyfishuara, dhe kjo gjë nuk ka ndodhur për një vit apo dy, por shtatë vjet me radhë. Zyrtarët e MASHT-it, që marrin rrogë, nuk bëjnë asgjë në këtë drejtim, rrinë nëpër zyra dhe përgjatë këtyre viteve kurrë nuk kanë dalë për të parë apo për të bërë ndonjë analizë se me çfarë çmimi real mund të blihen këta libra. Problematikë tjetër është edhe tek ajo se MASHT-i, në bazë të Udhëzimit Administrativ, është dashur që të ketë themeluar komisione për pranimin e librave nëpër shkolla, gjë që asnjëherë nuk e ka bërë, që lë të dyshohet se me librat kanë ndodhur keqpërdorime e manipulime të mëdha me sasitë, me çmimet, me cilësinë. Pastaj, MASHT-i nuk na ka vënë në dispozicion faturat e blerjes se mallit dhe as të pranimit të mallit, që ka bërë për çdo vit shkollor, gjë që edhe kjo është një shtytje e fortë të mendojmë se në shpërndarjen e librave ka pasur shumë manipulime e probleme, e mbi të gjitha shumë dallavere e keqpërdorime të fondeve të buxhetit të shtetit të dedikuara për nxënësit. Vetëm për këta gjashtë vjet janë blerë në total rreth 30 milionë ekzemplare libra dhe janë paguar 54 milionë euro, që është një shifër marramendëse dhe tepër abuzuese. Më poshtë do t'i paraqesim për çdo vit se sa tituj ka blerë MASHT-i nga shtëpitë botuese dhe çmimet e librave sa kushtojnë, si dhe totalin e librave të blerë...  (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)