Mustafa do t’i ftojë gjigantët gjermanë të automobilizmit të investojnë në Kosovë

  • 25 November 2015 - 10:33
Mustafa do t’i ftojë gjigantët gjermanë të automobilizmit të investojnë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka filluar një vizitë zyrtare në landet e Baden-Wurttembergut dhe të Bavarisë në Gjermani.

Gjatë këtyre dy vizitave, kryeministri Mustafa i shoqëruar nga ministrat Hykmete Bajrami, Blerand Stavileci dhe Arban Abrashi, do të pritet nga kryeministrat e dy landeve, Winfried Kretschmann dhe Horst Seehofer.

“Kryeministri Mustafa do t’i njoftojë dy homologët për progresin në Kosovë dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me këto dy lande dhe me Republikën Federale të Gjermanisë, në tërësi”, njofton zyra për informim e Kryeministrisë, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Kryeministri dhe delegacioni qeveritar i Kosovës, po ashtu, do të zhvillojnë takime të përbashkëta me dhjetëra biznese të rëndësishme gjermane si dhe do të vizitojë gjigantët gjermanë Mercedes, BMW, MAN dhe kompani të tjera gjermane.

Gjatë këtyre vizitave, Mustafa dhe ministrat përkatës do t’i njoftojnë përfaqësuesit e bizneseve me avancimin e vazhdueshëm të ambientit të të bërit biznes në Kosovë dhe mundësitë dhe resurset e mëdha, dhe do t’i ftojë që të investojnë në Kosovë. 

(Kosova Sot)