UNDP lanson garën për foton më të mirë online kundërkorrupsion

  • 25 November 2015 - 10:47
UNDP lanson garën për foton më të mirë online kundërkorrupsion

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë lanson fushatën “#fajikorrupsionit” ku qytetarët me anë të fotografive mund të kontribuojnë në luftën kundër korrupsionit.

Kjo fushatë ka për qëllim të tregojë efektet e dëmshme të korrupsionit në përditshmërinë e qytetarëve dhe është pjesë e aktiviteteve që shënojnë 9 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

Pjesëmarrja në këtë garë është e thjeshtë: Fotografohet dëmi i korrupsionit – në këtë rast, karriget e dëmtuara në shkolla, mbeturinat nëpër rrugë apo ndonjë rast tjetër – postohet në rrjetet shoqërore si Facebook, Twitter apo Instagram dhe automatikisht hyn në garë për tri shpërblimet e para.

Të gjitha fotografitë e mbledhura në këtë mënyrë do të vlerësohen nga juria profesionale kurse 20 fotografitë më të mira do të prezentohen në ekspozitën që organizohet me 9 dhjetor. Këto fotografi, pas ekspozitës, do të shpërndahen në zyret e institucioneve dhe organizatave vendore dhe të huaja si simbolikë emocionale dhe personale nga qytetarët të cilët përballen me efektet negative të korrupsionit në përditshmërinë e tyre.

Gara është e hapur deri me 4 dhjetor për të gjithë qytetarët dhe organizohet nga projekti Anti-Korrupsion i UNDP-së dhe Instituti Demokratik i Kosovës.

(Kosova Sot)