Erdogan: Nuk e dinim që avioni ishte rus

  • 25 November 2015 - 10:59
Erdogan: Nuk e dinim që avioni ishte rus

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se forcat ajrore turke nuk e kanë ditur se avioni që u rrëzua i takonte Rusisë, raporton ‘Russia Today’.

Përveç kësaj, Erdogan tha se Turqia nuk dëshiron përshkallëzim të raporteve me Rusinë, për shkak të avionit të rrëzuar.

“Ne nuk kemi ndërmend të provokojmë përshkallëzim të raporteve. Ne vetëm mbrojmë sigurinë tonë dhe vëllezërit tanë”, tha Erdogan në Stamboll, citon AFP.

Ai megjithatë shtoi se nuk mund të pritet që Turqia të hesht kur bëhet fjalë për shkelje të kufijve të saj.

Erdogan tha se luftëtarët turq qëlluan në një aeroplan ushtarak rus, derisa ai ishte në hapësirën ajrore turke, por ai ra në territorin e Sirisë, ndërsa disa pjesë ranë në Turqi dhe plagosën dy shtetas turq.

Turqia dje në mëngjes rrëzoi një avion ushtarak rus në kufi me Sirinë, sipas ushtrisë turke, pasi ai shkeli hapsirën ajrore të këtij vendi.

Ndërsa, në anën tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes vazhdimisht ka theksuar se avioni rus nuk kishte shkelur hapsirën ajrore të Turqisë.

Ambasadori turk në OKB, Halit Çevik, dje tha se dy avionë iu afrua hapësirën ajrore turke dhe ata u paralajmëruan 10 herë gjatë pesë minutave për të ndryshuar drejtim.

Çevik ka thënë se dy aeroplanët hynë për rreth një milje në territorin e Turqisë, duke qëndruar aty rreth 17 sekonda.