Rihapet Brukseli, kërcënimi për sulme mbetet i lartë

  • 25 November 2015 - 13:09
Rihapet Brukseli, kërcënimi për sulme mbetet i lartë

Në Bruksel janë rihapur shkollat dhe sistemi i metrosë, pas katër ditësh të mbyllura, për shkak të kërcënimeve për sigurinë.

Qyteti, megjithatë, mbetet nën alarmin më të lartë të kërcënimit.

Rreth 300 policë shtesë po mbrojnë shkollat dhe rreth 200 ushtarë po patrullojnë nëpër metro.

Gjysma e stacioneve të metrosë mbeten të mbyllura, ndërsa muzetë dhe ndërtesat e tjera publike kanë nisur të rihapen.

Autoritetet belge janë në kërkim të njërit prej sulmuesve të dyshuar të Parisit, i identifikuar si Salah Abdeslam.

Ato kanë arrestuar mbi 20 persona gjatë katër ditëve të kaluara.

Të gjithë janë liruar, pos pesë prej tyre, të cilët përballen me akuza që lidhen me terrorizmin në Paris.

Sulmet e 13 nëntorit në kryeqytetin e Francës kanë lënë të vrarë 130 persona.

Hetimet janë zgjeruar edhe në Belgjikë, pasi është zbuluar se së paku dy prej sulmuesve të Parisit kanë jetuar në shtetin belg.

Zyrtarët në qytetin Bruzh të Belgjikës kanë vendosur që një ndeshje e futbollit, në kuadër të Ligës Evropiane, të zhvillohet në stadium të zbrazët më 26 nëntor, duke thënë se policia është e nevojshme diku tjetër.

Të gjitha ngjarjet e tjera argëtuese dhe sportive në Belgjikë janë anuluar.