Donacionet miliardëshe pësuan fatin e buxhetit

  • 25 November 2015 - 17:22
Donacionet miliardëshe pësuan fatin e buxhetit

Rrjetet mafio-politike keqpërdorën fondet e shumta

Analisti i ekonomisë, Milazim Abazi, bankier, tha se nuk duhet  të çuditemi se përse e kemi këtë gjendje, edhe pse vetëm vjet janë dhënë mbi 200 milionë euro donacione për vendin. Sipas Abazit, ashtu siç është keqmenaxhuar dhe shpërdoruar buxheti i Kosovës, fatkeqësisht në të njëjtën mënyrë janë shpërdoruar edhe donacionet ndërkombëtare 

Me gjithë donacionet miliardëshe, që kanë ardhur në Kosovën e pasluftës, ato nuk e ndryshuan për të mirë gjendjen e rëndë ekonomike, që vazhdon të mbretërojë në vendin tonë. Sipas analistëve të ekonomisë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, këto donacione nuk patën sukses, sepse pati keqpërdorime e vjedhje, por edhe një zhvatje të madhe të këtyre ndihmave të miqve tanë. Analistët e ekonomisë thonë se shembulli më i keq i shpërdorimit të donacioneve ndërkombëtare është KEK-u, ku thuhet se janë harxhuar mbi 1,5 miliard euro donacione dhe nga paslufta nuk kemi asnjë rritje të kapacitetit apo efiçiencës në KEK. Deputeti Pal Lekaj (AAK) thotë se vetëm në vitin 2014 janë dhënë 200 milionë euro dhe nuk po dihet se ku po shkojnë ato para. “E tëra kjo po ndodh, sepse kemi një kapje të shtetit në të gjitha segmentet e jetës nga koalicioni aktual PDK-LDK”, theksoi ai.

Keqpërdorimet vazhduan edhe pas pavarësisë

Analistët pajtohen me vlerësimin se ka pasur keqpërdorime të ndihmave dhe donacioneve miliardëshe nga pushtetarët tanë në Kosovën e pasluftës. Kështu mendon edhe Albinot Maloku, analisti politik, që tha për gazetën se ekonomia e vendit ka pasur edhe injektime nga donacionet e jashtme, mirëpo një numër jo i vogël i këtyre donacioneve kanë përfunduar si në xhepat e vendorëve, por edhe të ndërkombëtarëve. “Kjo gjë nuk është përcjellë edhe aq dhe  këtu është defekti, pra konstatimet për këtë shpërdorim kanë ngelur vetëm në konstatime pa verifikim faktik”, tha ai. Sipas Malokut, keqpërdorime të donacioneve në vend ka pasur që prej vitit 1999 e këndej, por më e keqja ka qenë që të njëjtat kanë vazhduar të keqpërdoren edhe pas pavarësisë së vendit, më 2008. “Ekonomia e Kosovës, pavarësisht shumë alternativave të dhëna deri më tani vazhdon të jetë sfidë e çdo garniture qeverisëse në vend, dhe kjo kryekëput si mungesë e qasjes së sinqertë të kësaj sfide”, tha ai. (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)