Kerry qëndron dy orë në Kosovë, takon vetëm Mustafën dhe Thaçin

  • 25 November 2015 - 18:16
Kerry qëndron dy orë në Kosovë, takon vetëm Mustafën dhe Thaçin

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, pritet të takojë vetëm kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendësin e tij të parë, Hashim Thaçi, kur të mërkurën e ardhshme, më 2 dhjetor, do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.

Mësohet se me këtë rast ai nuk do të bisedojë me askë tjetër nga liderët institucionalë, e as ata të opozitës.

Merret vesh që numri një i diplomacisë amerikane do të qëndrojë rreth dy orë në Prishtinë.

Në fakt, ardhja e Kerryt këtu ishte në pikëpyetje, por ka qenë Ambasada Amerikane në Kosovë që ka insistuar dhe i ka kërkuar atij të mos e anashkalojë Prishtinën në kuadër të turneut të tij evropian që nis më 30 nëntor në Paris e merr fund më 4 dhjetor në Athinë, ku përfshihet edhe qëndrimi në Beograd, më 3 dhjetor.

Burimet e Klan Kosovën kanë thënë se ardhja e Kerryt në Kosovë dhe takimi vetëm me Mustafën e Thaçin është një dëshmi e përkrahjes se qeverisë amerikane për qeverinë aktuale në Prishtinë, karshi telasheve të fundit në raport me opozitën, e cila po kërkon tërheqjen e nënshkrimeve të kryeministrit nga marrëveshjet për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Në një përgjigje të Ambasadës Amerikane për Klan Kosovën thuhet se orari i vizitës nuk është finalizuar ende prandaj ne nuk mund të flitet për takime të veçanta që do të mbahen gjatë saj.

“Sidoqoftë, ne presim që ai nuk do të shihet vetëm me përfaqësues të qeverisë. Vizita ka për qëllim të dëshmojë përkushtimin e SHBA-ve ndaj Kosovës si dhe miqësinë mes SHBA-ve dhe Kosovës”, thuhet pos tjerash në përgjigjen e zëdhënëses së ambasadës, J. Michelle Schohn.

Nuk është e qartë nëse Kerry do ta takojë presidenten Atifete Jahjaga. Kjo e fundit, ka biseduar sot, në Zagreb, me numrin dy të SHBA-së, Joe Biden, në kuadër të samitit Brdo-Brione, ku po marrin pjesë të dy, bashkë me presidentët tjerë të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Sidoqoftë, në një njoftim të departamentit amerikan të shtetit, të 24 nëntorit, thuhet se “më 2 dhjetor, sekretari do të udhëtojë në Prishtinë, Kosovë ku do të takojë zyrtarë të lartë qeveritarë për të diskutuar çështjet bilaterale dhe rajonale”.

Po sipas kumtesës nga Washingtoni, Kerry do të qëndrojë edhe në Beograd, ku më 3 dhjetor merr pjesë në takimet e Këshillit Ministerial të OSBE-së.

Serbia është kryesuese aktuale e presidencës së OSBE-së.

Më herët në kuadër të turneut, Kerry do të qëndrojë në Paris, më 30 nëntor, ku i bashkohet presidentit Barak Obama për hapjen e Konferencës Ndërkombëtare të OKB-së për Ndryshimet Klimatike. Një ditë më pas, ai udhëton për Bruksel, për të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s por edhe në takime tjera.

Pas Beogradit, Kerry më 3 dhjetor udhëton edhe për në Qipro, ndërsa një ditë më pas, qëndron në Athinë, ku bashkë me zyrtarët e lartë të qeverisë greke diskuton krizën e refugjatëve por edhe reformat ekonomike në këtë shtet