Fatmir Limaj nesër në Gjykatë

  • 25 November 2015 - 19:45
Fatmir Limaj nesër në Gjykatë

Fatmir Limaj do të paraqitet nesër para trupit gjykues për lëndët e bashkuara rreth ish-Ministrisë së Transportit.

Në seancën e nesërme pritet të lexohet aktakuza e ashtuquajtur “e konsoliduar”, term të cilin e kundërshtoi avokati i Limajt Tahir Rrecaj në seancën e 30 tetorit.

Në këtë seancë Limaj tha se aktakuza është ngritur me urdhër politik.

Limaj akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa bashkë me Limajn në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë edhe Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Suka.

Kjo seancë ishte paraparë të mbahej me 18 nëntor, por nuk ishte mbajtur për shkak se njërit nga anëtarët e trupit gjykues i kishte vdekur një anëtar i ngushtë i familjes.