Babai s’e njeh vajzën e tij katërvjeçare, njoftohet çdo ditë

  • 25 November 2015 - 20:35
Babai s’e njeh vajzën e tij katërvjeçare, njoftohet çdo ditë

Një nënë ka treguar se si bashkëshorti i saj nuk e njeh të bijën e tyre – pasi vazhdon të vuajë nga humbje e kujtesës afatshkurtër, pas një aksidenti të tmerrshëm që e kishte përjetuar. Aimee Rackham, nga Masaçusetsi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duhet ta njoftojë vajzën e saj katërvjeçare, Lilah-në, me babanë e saj Mick-un çdo herë që ata takohen, pasi që ai harron se kush është ajo vajzë. Çifti ka qenë duke jetuar në Gjeorgji të SHBA-së në mars të vitit 2010 kur Mick-u, që ka qenë duke studiuar në programin Master në administratë publike, ishte përplasur për një kamion me 18 rrota, teksa ka qenë duke e drejtuar biçikletën e tij. Doktorët i kanë thënë 32-vjeçares Aimee që më së miri për Mick-un është nëse ai nuk do të mbijetonte as natën e parë pas aksidentit, mirëpo për habinë e të gjithëve ai ia kishte dalë dhe si rrjedhojë i ka kaluar disa muaj duke u rikuperuar në Kolegjin Mjekësor të Gjeorgjisë në SHBA, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Ka mendime të turbullta për Lilah-në

Në muajin korrik të të njëjtit vit, ajo e kishte kuptuar që ishte shtatzënë, pas më shumë se një viti përpjekjeje për ta nisur një fëmijë me bashkëshortin e saj, me të cilin ishte martuar në vitin 2007. Mick-u tani jeton në një njësi stacionare gjatë ditëve të punës dhe shkon në shtëpi gjatë fundjavave, derisa bashkëshortja e tij është duke shikuar për ta blerë një shtëpi të re, në mënyrë që çifti të kenë mundësi të jetojnë përsëri së bashku. Ai është i paaftë të krijojë kujtime të përditshme, mirëpo ka shenja që tregojnë se ai ka filluar të krijojë kujtime të reja, pasi  ballafaqohet me situata të njëjta. Tregimi i tij përngjan me tregimin e rrëfyer në filmin ‘50 First Dates’, në të cilin në rolin kryesor luan Drew Barrymore, si një vajzë e re që nuk ka kujtesë afatshkurtër. Aimee ka thënë: “Është shumë e vështirë të jesh i martuar me dikë që nuk mund t’i mbajë në mend ngjarjet nga përditshmëria. Mick-u nuk ka fare kujtesë afatshkurtër dhe si rrjedhojë çdo gjë që bëjmë ne, ai e harron mëngjesin e ardhshëm. Mirëpo ne kemi arsye për të qenë një çift i lumtur dhe po mundohemi të arrijmë sukses në përmirësimin e gjendjes. Mick-u tanimë ka filluar të mbajë në mend disa gjëra tejet të zakonshme. Ka pesë vjet që ne jetojmë këtu dhe tani ai ka filluar ta mbajë në mend se ky është vendbanimi ynë. Ai e di që Lilah është vajza jonë, mirëpo ka mendime të turbullta sa herë që e takon. Ai e di që ka një fëmijë, mirëpo nuk arrin ta kuptojë se si kjo vajzë mund të jetë e tij, pasi që nuk ka aq kujtesë sa për ta mbështetur këtë fakt”, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Nënë surrogate e binjakëve

Pas problemeve të bashkëshortit të saj, Aimee, që punon në një librari, kishte filluar të hante pa kontroll, duke shtuar në peshë deri në momentin kur kishte mbërritur në plot 118 kilogramë, mirëpo në atë moment ajo ishte këndellur dhe kishte filluar t’i humbasë kilogramët e padëshiruar, duke u kthyer në peshë normale dhe tani thotë se ndihet e gatshme për të ‘pushtuar gjithçka’.  Për t’ju ndihmuar nënave që nuk kishin mundësi të lindnin fëmijë dhe për të fituar para, për të qenë në gjendje që ta mbështesë familjen e saj, Aimee ishte bërë nënë surrogate e binjakëve në mars të vitit 2013 e më pas edhe e një vajze, në dhjetor të vitit të kaluar, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Ajo ka thënë që fakti se i lejohej të hante çka të dëshironte, gjatë kohës kur ka qenë shtatzënë, ka qenë një motiv shtesë për të dhe si rrjedhojë ajo kishte shtuar shumë në peshë, duke mbërritur kështu në peshën që asnjëherë nuk e kishte menduar se do ta mbërrinte, pasi që për shumicën e jetës së saj ajo ka qenë rreth 75 kilogramë e rëndë.  Momenti i këndelljes kishte ardhur pas lindjes së vajzës si nënë surrogate në dhjetor të vitit të kaluar, kur kishte filluar ta përdorte një aplikacion të quajtur ‘EasyLoss’, që deri në muajin maj i kishte ndihmuar që t’i humbte plot 25 kilogramë.  Ajo ka vazhduar me ritmin e njëjtë të humbjes në peshë dhe brenda dhjetë muajsh ka arritur t’i humbasë plot 50 kilogramë, falë aplikacionit që kushton vetëm shtatë euro. Megjithatë, ajo thotë se vazhdon të mos konsumojë ushqime të shëndetshme dhe ende ha derisa të ngopet.  

(Kosova Sot)