Enver Hasani del para Gjykatës për mashtrim në detyrë

  • 25 November 2015 - 22:36
Enver Hasani del para Gjykatës për mashtrim në detyrë

Ish-kryetari i Kushtetueses Enver Hasani do të dalë të premten para gjykatës nën akuzën për mashtrim në detyrë sa ishte rektor.

Seanca e gjykimit të ish-rektorit të UP-së dhe ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese është caktuar për të premten e 27 nëntorit, sipas orarit të seancave të dërguar nga Zyra për Informim e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Hasani nga prokuroria akuzohet se në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Prishtinës ka kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë. Pjesë e këtij gjykimi bashkë me Hasanin janë edhe Hakif Veliu dhe Albert Rakipi.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës së prokurorisë, të pandehurit sipas marrëveshjes paraprake kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi-1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.

Sipas aktakuzës, kjo i ka mundësuar përfitim më të madh Institutit për Studime Ndërkombëtare për numrin e njëjtë të shërbimit.

Në aktakuzë thuhet se kjo kontratë është nënshkruar dhe vulosur nga Hakif Veliu, ndërsa Enver Hasani e ka dërguar të njëjtën në Tiranë tek i pandehuri Albert Rakipi.

Aktakuza e datës 31 korrik 2015 precizon rrjedhën e mëtejme të ngjarjeve.

“I pandehuri Albert Rakipi më 13 korrik 2009 ka dërguar në UP në bazë të kontratës së falsifikuar, një faturë për përkthimin e tetë librave të përkthyer të llogaritur sipas njësisë matëse”Karaktere” në shumë prej 78.999,25 euro, si dhe faturën për përkthimin e dokumenteve të akreditimit prej 8.542,55 euro, në të cilat fatura ka shënuar njësinë matëse 1000/Fjalë,” thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, llogaritja e librave të përkthyer me karaktere dhe e dokumenteve me fjalë “tek anëtarët e Komisionit të UP-së për pranimin e materialeve të përkthyera ka krijuar lajthitje se llogaritja e përkthimit është bërë në me njësinë matëse ‘fjalë’, kështu që ky komision ka aprovuar cilësinë dhe sasinë e shërbimeve të ISN-së, ka rekomanduar ekzekutimin e pagesës edhe pse i pandehuri Hakif Veliu ishte në dijeni se ISN llogaritjen e ka bërë sipas karaktereve, e jo sipas fjalëve të përkthyera”.

Aktakuza përmend edhe një faturë tjetër që i erdhi UP-së nga Rakipi.

“I pandehuri Albert Rakipi më 2 dhjetor 2009 ka dorëzuar në UP edhe një faturë për përkthimin e 11 librave të llogaritur sipas njësisë matëse ‘karaktere’, në shumë prej 299.488,75 euro , e cila faturë nuk është paguar, ndërsa ISN-ja pretendon se UP-ja i ka borxh,” shpjegon aktakuza.

KALLXO.com ka provuar ta kontaktojë me avokatin e Enver Hasanit, Betim Shala gjatë ditës së sotme, por kontakti me të ka qenë i pamundur.