Rrëzimi i aeroplanit rus, këmbana e fundit para Luftës së Tretë Botërore

  • 26 November 2015 - 08:06
Rrëzimi i aeroplanit rus, këmbana e fundit para Luftës së Tretë Botërore

Episodi i avionit rus të rrëzuar nga Turqia, nxjerr në pah se sa e vështirë është të bësh bashkë një koalicion kundër Shtetit Islamik. Kjo e bën edhe më urgjente një përpjekje diplomatike për të eleminuar jo vetëm rrezikun terrorist, por edhe zgjidhur konfliktin sirian, i cili rrezikon të shkaktojë Luftën e Tretë Botërore.

Një koalicion i madh për të luftuar ISIS do të jetë më i vështirë pas rrëzimit të avionit rus në territorin përgjatë kufirit turko-sirian. Por, incidenti me Su24 është vetëm parashtrimi konkret i faktit që përreth Sirisë, sot mbështillen shumë protagonistë, të gjithë me interesa edhe shumë të ndryshme, në mos diametralisht të kundërta.

T’i bësh bashkë, t'i unifikosh përballë një armiku të rrezikshëm për të gjithë, do të jetë e vështirë. Por, të mos lejosh që të përplasen mes tyre, është një detyrim. “Një marrëveshje e madhe” për të frenuar luftën në Siri është një detyrim absolut.

Kundër ISIS, Francois Hollande, pas atentateve në Paris, ishte gati të rreshtonte edhe Vladimir Putinin, duke harruar që Rusia mbështet Bashar al Assadin, njeriu që Franca dëshiron të rrëzohet, ashtu sikurse do edhe Turqia dhe Arabia Saudite. Por, Putini në Siri, me sulmet ajrorë të sotëm, konfirmon se objektivi i tij i parë është të mbrojë Assadin, për shembull nga luftëtarët turkomanë që Sukhoit bombardonin në Siri.

Secili e lufton terrorizmin në mënyrën e tij, duke mbrojtur interesat e vet parësorë dhe mbi të gjitha duke identifikuar si “terroristë”, grupe që janë aleatë të dikujt tjetër.

Që në fillim, amerikanët kanë shfaqur paqartësi në ndarjen me rusët, të informacioneve mbi grupet e pranishëm në Siri: “Ne u japim informacione për grupe që janë aleatë me ne, dhe ata ndoshta i bombardojnë”, thoshte pak ditë më parë një zyrtar për New York Times.

Në këtë pikë, shumëkush pret një përgjigje nga Moska ndaj sfidës turke: rrëzim i një avioni turk në kaosin e luftës, ashtu si ndodhi dje? Do të ishte një përshkallëzim i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm, që do të hapte rrugë për kundërpërgjigje të tjera, të paimagjinueshme, nga ana e Turqisë. Dikush thotë se, në këtë pikë, thjeshtë Rusia do të gjendet në krah të amerikanëve në mbështetjen dhe armatosjen e militantëve kurdë, që Ankaraja i ka si halë në sy. Por kurdët sirianë, që janë bashkë me peshmergat irakenë në vijën e parë të frontit kundër ISIS, janë edhe kundër Assadit, që Moska dëshiron ta shpëtojë.

Një efekt i sigurtë do të jetë në orët e ardhshme, kur grupet e punës të udhëhequr nga OKB duhet të fillojnë të vendosin se “kush është terroristi” në Siri, si parashikohet nga Konferenca e Vienës. Një hap i rëndësishëm për të vazhduar me punën, e cila në janar do të sillte nisjen en jë procesi politik mes qeverisë siriane (pa Assadin?) dhe grupeve të opozitës që nuk do të klasifikohen si terroristë.

Incidenti i Sukhoit mund të ndërlikojë gjithcka, por mund t’u ofrojë fuqive më të moderuara shtysën për të nxitur fuqitë rajonale më të papajtueshme (dhe Rusia e Turqia janë në vijë të parë) jo vetëm për të luftuar ISIS, por për të favorizuar një marrëveshje politike në Siri.

Eshtë e qartë që Putinit i duhet të sajojë dicka për t’iu përgjigjur rrëzimit të avionit, pas një urdhëri të Erdoganit: të dy janë kaq të ngjashëm, saqë do të jetë e vështirë të sajohet një formulë diplomatike që do i lejojë të dalin ballëlartë dhe të mos bëjnë dëme. Por kjo do të jetë punë e politikës dhe diplomacisë në orët e ardhshme. Dhe në këtë pikë, Amerika e Barack Obamës duhet të vihet në komandë të makinës së cmendur politike në Lindjen e Mesme. Bashkë me Europën duhet të jetë e mundur një rinisje e dialogut me Rusinë, që nuk e anulon Krimenë, por e relativizon.

Rreziku i vërtetë i madh nuk është ISIS; rreziku i vërtetë është Lufta e Tretë Botërore, që mund të nisë vërtetë nga një konflikt sirian, i cili vazhdon të përshkallëzohet dhe në të cilin, edhe të mëdhenjtë kanë nisur ta humbasin qetësinë, përcjell bota.al. Rrëzimi i Sukhoit është këmbana e fundit e alarmit.