Mjeku shqiptar e shpëtoi serbin e prerë në fyt nga bashkëvendësi i tij

  • 26 November 2015 - 08:29
Mjeku shqiptar e shpëtoi serbin e prerë në fyt nga bashkëvendësi i tij

Në Spitalin Regjional të Gjilanit

Srgjan Zhiviq nga Pasjani është gjallë sot falë besimit që pati për ta përmendur Spitalin e Gjilanit, para se të binte në shok hemorragjik, nga dëmtimi i enëve vitale të gjakut, që i kishte marrë nga prerja në fyt me një shishe të thyer. Ai u operua pa anestezion, nga mjeku kujdestar Luan Mustafa, sepse koha nuk priste

Srgjan Zhiviq (1972) nga fshati Pasjan, sot është gjallë falë mjekut shqiptar Luan Mustafa, kirurg në Spitalin Regjional të Gjilanit. Po të mos e kishte zgjedhur këtë spital, Zhiviq nuk do të ishte në jetë më. Nuk kishte kohë as t`i bëhej anestezioni.“Pacienti erdhi në emergjencë, tridhjetë minuta pas mesnatës, me një gjakderdhje të madhe nga fyti, ku ishte prerë me një shishe të thyer, nga një person tjetër dhe sikur të humbje dhe një minutë e vetme për të përgatitur anestezionin, ai nuk do të mbijetonte”, thotë mjeku Luan Mustafa. Pacientin e kanë vizituar të nesërmen edhe mjekë serbë dhe ata janë befasuar se si mjeku shqiptar ka arritur ta shpëtojë një rast kaq të rëndë, siç janë prerjet në fyt, që zakonisht përfundojnë me vdekje. Zhiviq do të mund t`i shoh sërish dy fëmijët e tij dhe gruan në Pasjan, ku jeton, brenda dy-tri ditëve të ardhshme. “Bashkëvendësit e mi më pyetën se ku dëshiroja të më dërgonin, në Shillovë, apo në Gjilan, pas asaj që më kishte ngjarë me një kushëri timin, pas një debati rreth zgjedhjeve të fundit për pushtet lokal në komunën e Pasjanit, ku ne ishim të ndarë për kandidatët. Unë zgjodha Gjilanin dhe bëra mirë, sepse sot jam këtu. Diku tjetër nuk do të arrija gjallë”, thotë Zhiviq, teksa i falënderohet mjekut Luan Mustafa që e bëri të pamundurën brenda aq pak minutash, për t`ia shpëtuar jetën. Thotë se më parë nuk ka qenë në Spitalin e Gjilanit, jo pse nuk ka besim te mjekët shqiptarë, por nuk pa pasur nevojë.

Rastet si ky statistikisht përfundojnë me vdekje

Edhe mjeku Mustafa ndihet mirë që ka triumfuar ndaj vdekjes në një rast si ky, që shkencërisht përfundojnë me vdekje, sepse është e vështirë t`i kryesh gjithë ato ndërhyrje për ta shpëtuar një pacient të prerë në fyt e që gjakderdhës si lum. “Gjakderdhja është ajo që merr jetë”. Dr Luani thotë se pacienti erdhi në një shok hemorragjik, si pasojë e dëmtimit të enëve vitale të gjakut dhe muskulit të qafës dhe për ta mbajtur në jetë, pos reagimit të shpejtë, u desh t`i jepen edhe katër doza gjaku. Mbikëqyrja e parametrave vitalë, gjatë operacionit, u bë nga mjeku me përvojë, Selami Kurteshi, por pa anestezion, në prani edhe të mjekut të ORL-së, Nazmi Emini. Ndryshe, Luan Mustafa nuk kursehet për të bërë punën e tij në çdo kohë, përfshirë edhe kujdestarinë dhe thotë se i ka ndodhur që brenda një dite t`i kryej deri në 11 ndërhyrje kirurgjikale.  

Në mjekësi, sekondat janë të barabartë me jetën

Serbi nga Pasjani, dikur punëtor i Kombinatit të tekstileve në Gjilan, tani bujk, shprehet i kënaqur me kujdesin ndaj tij në Spitalin e Gjilanit. Ai është vendosur i vetëm në një dhomë, ku disa bashkëvendës të tij kishin ardhur për vizitë dhe ishin të lumtur që Zhiviq ka mbijetuar falë mjekut shqiptar. Ai thotë se serbët nuk kanë arsye të mos u besojnë mjekëve shqiptarë, sepse vetë është dëshmitar se çfarë përpjekje bënë ata për ta shpëtuar. Sikur të vonoheshin për ta përgatitur sallën operative dhe për të pritur kohën për anestezion, pacienti do të kishte ikur nga jeta. Në mjekësi, koha përkthehet me jetë. Po i humbe sekondat, e ke humbur një jetë njeriu, thonë mjekët. Spitali i Gjilanit është i përgatitur për raste edhe më të rënda.

(Kosova Sot)