“Blej Shqip” për Ditën e Flamurit, në qendër të Prishtinës

  • 26 November 2015 - 09:20
“Blej Shqip” për Ditën e Flamurit, në qendër të Prishtinës

Të blesh produkte vendore në qendër të Prishtinës, kjo është ideja e komunarëve të Prishtinës, që festën e flamurit dhe ditës së Pavarësisë së Shqipërisë qytetarët ta shënojnë me produkte shqiptare.

Është viti i dytë i këtij organizimi, i cili u tregua i suksesshëm në vitin e parë. Biznese të ndryshme prodhuese nga Kosova dhe Shqipëria do të prezantojnë produktet e tyre në qendër të qytetit për tre ditë me radhë, në kuadër të panairit “Blej Shqip”.

Komuna e Prishtinës do të ketë edhe aktivitete të tjera në kuadër të festës së 28 nëntorit. Janë dy koncerte që do të mbahen, njëri për fëmijë e tjetri për të rritur, që nisin nga orët e pasdites dhe përfundojnë në orët e vona të natës.

Drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Saranda Bogujevci, tha se në këto koncerte do të ketë interpretues të njohur nga vendi.

Bogujevci tha se në manifestimin e 28 nëntorit do të shfaqet edhe dokumentari me defa, i cili tregon për një pjesë të trashëgimisë që veç se është në zhdukje. Dhe gjatë gjithë ditëve festive p anairi “Blej Shqip”, do të pres e përcjell vizitorë të ndryshëm, të cilët kanë mundësinë e blerjes së shumë produkteve ushqimore, rrobave me motive kombëtare, etj.

“Këtë vit për Ditën e Flamurit kemi organizuar aktivitete të ndryshme. E kemi panairin “Blej shqip” që po organizohet për vitin e dytë me radhë që është pjesë e drejtorisë për Zhvillim Ekonomik. Do të ketë biznese të ndryshme nga Kosova dhe Shqipëria që do të promovojmë produktet e tyre. Në të njëjtën kohë e kemi edhe koncertin që organizohet me datën 28 nëntor duke filluar rreth orës 17:00, dhe që vazhdon deri në mesnatë.

Kemi performues të ndryshëm, e kemi Baletin e Kosovës, grupin Asgjë Sikur Dielli, Ilir Bajri dhe “Open Band”, ku kemi edhe dokumentarin me defa të Fatmir Kosumit , i cili tregon për një pjesë të trashëgimisë që veç se është në zhdukje në një farë forme d.m.th këngët e defave. Gjithashtu kemi edhe gratë që janë pjesë e dokumentarit që do të performojnë në të njëjtën ditë. Kemi aktivitet për fëmijë që do të organizohen prapë gjithashtu edhe projekte të tjera d.m.th iniciativa të tjera që janë përkrahëse si projekte nga ana e komunës “, tha Bugojevci për kp.

Panairi “Blej Shqip është realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë, Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Sipërmarrjes, të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Ky panair nis me 27 nëntor dhe do të zgjas deri më 29 nëntor. Panairi do të promovohet në sheshin “Skënderbeu” tek bulevardi “Nëna Terezë”.