Serbët skeptikë rreth thirrjes së Patriarkut për kthim në Kosovë

  • 26 November 2015 - 10:55
Serbët skeptikë rreth thirrjes së Patriarkut për kthim në Kosovë

Patriarku serb Irinej u ka bërë thirrje serbëve të kthehen në shtëpitë e tyre në Kosovë, por ata që u larguan pas luftës thanë se Beogradi dhe Prishtina duhet të garantojnë më parë sigurinë e tyre.

Thirrja e patriarkut ortodoks serb Irinej për një kthim masiv të serbëve në Kosovë nuk është reale për shkak të frikës për sigurinë dhe kushtet e këqija të jetesës, tha për BIRN të mërkurën Natasha Shqepanoviq nga Shoqata e Familjeve të Viktimave Serbe të Kosovës.

"Njerëzit kanë humbur besimin te Serbia dhe kisha ortodokse serbe. Ata thanë të njëjtën gjë edhe pas përfundimit të luftës në vitin 1999 dhe shumë veta u besuan. Prindërit e mi i besuan shtetit dhe kishës dhe u vranë,” shpjegoi Shqepanoviq që tha se prindërit e saj u vranë në qytetin e tyre të lindjes Istog në Kosovë pas luftës së vitit 1999.

Shqepanoviq megjithatë tha se familja e saj do të kthehej me kënaqësi në qytetin veriperëndimor të Kosovës nëse autoritetet e Prishtinës dhe Beogradit "siguronin një jetë të sigurt, normale dhe më të mirë atje”.

Gjatë një vizite në Manastirin e Deçanit në Kosovë të martën, patriarku Irinej u bëri thirrje të gjithë serbëve që u larguan nga Kosova të kthehen dhe të vazhdojnë jetët e tyre atje për të mbrojtur kështu trashëgiminë e tyre.

"Ne e dimë që ata jetojnë në kushte dhe rrethana të vështira, por Zoti do t'u japë atyre forcë për të duruar,” tha patriarku.

"U bëj thirrje të gjithë ish-banorëve të Kosovës dhe Metohisë që të kthehen në shtëpitë e tyre, tempujt dhe varrezat dhe të ruajnë atë që kanë trashëguar nga paraardhësit e tyre,” shtoi ai.

Por Olgica Bozaniq nga Shoqata e Personave të Rrëmbyer dhe Zhdukur në Kosovë tha se autoritetet në Prishtinë nuk kanë bërë mjaftueshëm për të garantuar sigurinë e të kthyerve të pasluftës.

"Ne kemi të drejtë të rikthehemi. Por ne kemi gjithashtu një kërkesë për autoritetet e Kosovës. Duam që ata të na premtojnë një kthim të sigurt dhe paqe atje,” tha Bozaniq për BIRN.

Ajo tha se shumë serbë të Kosovës gjithashtu prisnin më shumë nga autoritetet e Beogradit, të cilët ajo i akuzoi se s’po bëjnë shumë për të ndihmuar.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës që i dha fund konfliktit në Kosovë në vitin 1999, shumë serbë u dëbuan dhe shtëpitë e tyre u dogjën.

Rreth 150,000 serbë u larguan nga Kosova pas luftës dhe shumica ende jetojnë në Serbi.

Numri i përgjithshëm i joshqiptarëve të kthyer vullnetarisht në Kosovë që nga viti 2000 është 26,323, sipas të dhënave të OKB-së dhe ritmi i rikthimit të tyre mbetet i ngadaltë.

Një total prej 123 serbësh të Kosovës u kthyen midis korrikut dhe shtatorit 2015, thuhej këtë muaj në raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për gjendjen në Kosovë.

Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 19 nëntor, ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq tha se "ende nuk ekzistojnë kushte themelore për një rikthim pa pengesa dhe të qëndrueshëm të personave të zhvendosur brenda vendit" në Kosovë.

"Kjo është arsyeja që i bëj thirrje OKB-së dhe përfaqësuesve të tjerë të administratës ndërkombëtare në Kosovë të ndihmojnë në kapërcimin e problemeve që pengojnë kthimin e personave të zhvendosur brenda vendit dhe të kontribuojnë në gjendjen e vështirë të të kthyerve cilët janë të ekspozuar ndaj incidenteve të vazhdueshme të sigurisë, përfshirë sulmet mbi ta dhe pronën e tyre," tha Daçiq.

Strategjia e Ministrisë së Kosovës për Komunitete dhe Kthim për 2014-2018 përcakton planet për rikthimin e qëndrueshëm dhe riintegrimin e atyre që janë larguar.

Sipas strategjisë, gjatë disa viteve të fundit për të rikthyerit janë ndërtuar më shumë se 900 shtëpi nga të cilat rreth 650 tashmë janë zënë.

Autoritetet e Kosovës gjithashtu krijuan grupe ndërministrore në qershor të këtij viti për të siguruar rikthimin e serbëve në fshatrat Mushitisht në jug dhe Brdjane dhe Svinjare në veri.

Ata thanë se deri në fund të vitit rreth 600 persona të tjerë priten të kthehen në Kosovë. /kallxo.com/