Minxhozi, politikanëve kosovarë: Mos u bëni kopje e keqe e Shqipërisë

  • 26 November 2015 - 14:05
Minxhozi, politikanëve kosovarë: Mos u bëni kopje e keqe e Shqipërisë

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, ka theksuar se bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet ta tejkalojë retorikën patriotike, por të kthehet në bashkëpunim më të madh ekonomik në mes dy vendeve.

Sipas tij, shkëmbimi tregtar në mes Kosovës dhe Shqipërisë këtë vit ka arritur rreth 200 milionë euro, për dallim para dy viteve kur kjo shumë ka qenë 150 milionë euro.

“Nëse ndonjëherë dalin problem gjatë shkëmbimeve tregtare në mes dy vendeve, ne duhet t’i ruajmë dozat e reagimit, sepse kemi të bëjmë më një ekonomi të hapur, ku ndryshojnë interesat nga një vend në tjetrin. Nuk ju ndodhin probleme vetëm Kosovës dhe Shqipërisë në aspektin ekonomik, por probleme në mes vete kanë edhe vendet evropiane”, ka thënë ai.

Minxhozi ka theksuar se shqiptarët këndej dhe andej kufirit duhet ta njohin më mirë njëri tjetrin dhe se sipas tij, duhet ta kemi parasysh si Shqipëria ashtu edhe Kosova janë ekonomi të vogla, dhe duhet ta kenë një bashkëpunim të ndërsjellë në mes tyre. 

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë në emisionin “Info-Box” të RTV Dukagjini, ka theksuar se nuk dëshiron që disa fenomene negative që kanë ndodhur në Parlamentin e Shqipërisë të transferohen edhe në Kosovë.

“Jam kundër përdorimit të gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit dhe bllokimit të seancave. Nga ana tjetër edhe Qeveria duhet të jetë më aktive dhe të tregoj që është e gatshme të jetë pjesë e dialogut. Shpresoj që manifestimi i këtij 28 nëntori të jetë i qetë, sepse çdo eskalim do ta përdhoste këtë festë”, ka shtuar Minxhozi.