Gjysma e bizneseve pa arka

  • 26 November 2015 - 07:48
Gjysma e bizneseve pa arka

Informaliteti pushton ekonominë kosovare

MF-ja dhe ATK-ja nuk e komentojnë dështimin e tyre

Në Kosovë po e kalojmë vitin e pestë me gjysmën e bizneseve të pafiskalizuara. Në fillim të këtij viti kemi pasur zotime të Ministrisë së Financave dhe të ATK-së se ky proces do të përfundojë shumë shpejt, mirëpo ende institucionet përgjegjëse janë shumë larg këtij objektivi

Qeveria po dështon me mbledhjen e taksave duke lejuar informalitetin në shkallë alarmante. Nga ana tjetër, fiskalizimi ka hasur në ngecje serioze. Zyrtarë të Ministrisë së Financave nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje konkrete në çështjen se përse ende janë me qindra e mijëra  biznese kosovare që nuk po e përfillin Urdhëresën Administrativ për pajisjen me arka fiskale në procesin që ka filluar 5 vjet më parë. Ndërkaq, të dhënat zyrtare tregojnë se janë gati gjysma e bizneseve vendore që janë deklaruese të tatimeve dhe që nuk janë të pajisura me pajisje fiskale si parashihet me ligj. Evazioni fiskal është në shifrën prej dy miliardë euro në vit. Llogaritet se deri më tani mbi 20 mijë biznese janë pa arka fiskale. Kështu thonë përfaqësuesit e bizneseve, kurse përfaqësues të Administratës Tatimore të Kosovës nuk kanë ofruar ndonjë shifër konkrete, pavarësisht pyetjeve të dërguara. Ndonëse tashmë dihet botërisht se ka ngecje në fiskalizimin e bizneseve në përgjigjen e ATK-së, të dhënë gazetës, thuhet se janë në rrugë të mirë të implementimit dhe se numri i fiskalizimeve të bizneseve deri më tani është 22.506.“ Sipas planit operativ për vitin 2015, numri më i madh i bizneseve që kanë qarkullim vjetor të ulët priten të fiskalizohen. Projekti i fiskalizimit është vetëm një nga shumë projektet që implementon ATK-ja dhe se jemi në rrugë të mirë të implementimit të tij. Numri i bizneseve të fiskalizuara deri më tani është 22.506, ndërsa numri i pajisjeve elektronike fiskale është 29.044”, thuhet në përgjigjen e ATK-së... (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)