Zbulohet misteri i “tumorit” të Papës (Video)

  • 26 November 2015 - 15:58
Zbulohet misteri i “tumorit” të Papës (Video)

Rreth një muaj më parë, mediat në Itali publikuan lajmin se Papa vuante nga tumori në tru. Pavarësisht se theksohej se sëmundja ishte e kurueshme, Vatikani e hodhi menjëherë poshtë këtë lajm, duke e konsideruar si absolutisht të pavërtetë.

Lajmi pushtoi mediat e të gjithë botës, për shkak të detajeve të gazetës “Quotidiano Nazionale”, e cila shkruante se Papa ishte operuar për sëmundjen nga një neurokirurg japonez me emrin Takanori Fukushima.

Por janë pikërisht koincidencat që shpjegojnë përfundimin e nxituar të medieve.

Vetë doktori japonez i ka shpjeguar agjencisë së lajmeve, ANSA, se ai vërtet ka operuar një pacient 78-vjeçar, i cili quhej Bergoglio, por nuk ishte Papa.

“Ai quhej Giorgio Mario Bergoglio, kishte të njëjtën moshë dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje në tru për shkak të një meningiome. Mendoj se ky fakt qëndron në origjinë të lajmit. Ai nuk ishte Papa”, është shprehur profesori japonez i spitalit të Tokios, një ndër më të njohurit në botë në fushën e neurokirurgjisë.

Një fakt tjetër që mbështeste teorinë e medieve për njohjen e doktorit me Papën është edhe një foto që qarkullon në rrjet, ku ata shfaqen duke u përshëndetur në afërsi të Selisë së Shenjtë.

Fukushima thotë se fotoja është autentike dhe është shkrepur gjatë një vizite të tij në Vatikan, në tetor të vitit të kaluar. Ai thotë se e ka takuar Papën në sheshin “Shën Pjetër” si shumë të tjerë që vizitojnë Vatikanin.