Policia italiane konfiskon 800 pushkë në një kamion holandez

  • 26 November 2015 - 17:51
Policia italiane konfiskon 800 pushkë në një kamion holandez

Policia italiane ka konfiskuar më shumë se 800 pushkë nga një kamion me targa holandeze, derisa po kalonte kufirin italian në Trieste, shkruan ANSA.

Shoferi i kamionit ishte një shtetas turk i cili kishte planifikuar të shkojë në Gjermani, Holandë dhe në Belgjikë.

Ngarkesa përbëhej nga më shumë se 800 pushkë të tipit Winchester SXP, të cilat ishin paketuar në qindra kuti kartoni dhe nuk ishin deklaruar fare në kufi.

Policia italiane kishte vendosur të kontrollojë kamionin derisa po kalonte kufirin më 23 nëntor, pasi dyshonin se ngarkesa dhe lloji i udhëtimit mund të jetë i dyshimtë, thuhet në raportin e policisë.

Kontrollet kufitare janë rritur në Itali pas sulmeve terroriste në Paris.