E mësoi gjuhën e nënës në moshën 65-vjeçare

  • 26 November 2015 - 18:47
E mësoi gjuhën e nënës në moshën 65-vjeçare

Çika e kapedanit martohet për kosovarin

E drejta e shkollimit në gjuhën amtare, asaj i ishte mohuar në vendlindje, në Ulqin, në kohën e ish-Jugosllavisë, por ajo nuk hoqi kurrë dorë nga qëllimi për të mësuar drejtshkrimin e gjuhës shqipe, si nuse në Kosovë, ku erdhi para dyzet vjetësh dhe tani u pensionua   

Dhjetëra zyrtarë komunalë në Gjilan kanë përfunduar me sukses kursin e gjuhës shqipe dhe serbe, për të lehtësuar komunikimin me palë dhe ndërmjet vete. Këtë kurs e ka ndjekur edhe ulqinakja Drita Klaiqi. Për dallim prej të tjerëve, të cilët kanë mësuar gjuhën e njëri-tjetrit, Drita ka mësuar gjuhën shqipe. Ajo është e martuar në Kosovë dhe deri para pak ditësh, kur u pensionua, punoi si zyrtare për barazi gjinore. “Dikujt mund t`i duket e pabesueshme, por në Mal të Zi, shtetin ku kam lindur, shkollimin është dashur ta bëjë në gjuhën serbe. Sikur të ishte respektuar ligji për përdorimin e barabartë të gjuhëve edhe në Mal të Zi, në kohën time, sikur po ndodh sot në Kosovë, atëherë unë nuk do të kisha pasur nevojë që në këtë moshë, të ndjek kurse për të mësuar gjuhën time amtare”, thotë Drita Klaiqi. Ajo ka vuajtur gjithmonë që nuk ka mundur ta shkruajë gjuhën shqipe sipas rregullave gramatikore, sepse për ta folur e ka ditur edhe në familjen e saj dhe e ka përvetësuar edhe më mirë në familjen e bashkëshortit, në Gjilan. 

Theu traditën ulqinake

Ulqinakja Drita Klaiqi nuk është pishman asnjëherë që është martuar në Gjilan, ku bashkë me Aliun kanë krijuar një familje të lumtur, por e pranon se i mungojnë tallazet e detit dhe kalaja, ku është rritur, shegat, fiqtë dhe ullinjtë e zinj. Çika e kapedanit, para rreth dyzet vjetësh kishte vendosur ta lë detin, për kosovarin Ali Klaiqi, me të cilën u martua dhe krijoi një familje të lumtur. Kaq vite pas asaj kohe, tani kur Drita dhe Aliu kanë pesë fëmijë të rritur dhe katër prej tyre të martuar, ajo rrëfen se si kishte vendosur ta thyejë një traditë ulqinake dhe të martohet diku larg prej detit dhe kalasë së njohur të Ulqinit, ku jetoi familja e saj. E pranon se ka pasur vështirësi që të ambientohet në Gjilan, por asnjëherë nuk është penduar për vendimin e saj që ta pranojë sfidën e jetës, sepse ishte e vetëdijshme se dashuria rrënon distanca e dallime në tradita. “Unë s`e kuptoja në fillim pse nusja duhet ndenjur në këmbë derisa qet çaj, pse nusja duhet pastruar këpucët e mysafirëve dhe adete të tjera, por dalëngadalë, me mbështetjen e fortë të Aliut, i përballova dhe i mësova të gjitha traditat e familjeve kosovare, përkatësisht të qytetit të Gjilanit”, thotë Drita e Ulqinit. .(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)