Serbia synon kontrollin e hapësirës ajrore të Kosovës, Qeveria e BE heshtin

  • 26 November 2015 - 19:35
Serbia synon kontrollin e hapësirës ajrore të Kosovës, Qeveria e BE heshtin

Hapësirën ajrore të Kosovës prej para dy vjetësh e kontrollon shteti i Hungarisë, mirëpo, mbikëqyrjen dhe kontrollin po synon ta marrë Serbia.

Nëpërmjet zyrtarëve qeveritarë, Beogradi ka bërë kërkesë në BE që të marrë përsipër menaxhimin e shërbimeve të kontrollit ajror mbi Kosovë.

Për të bërë këtë, besohet se shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të BE-së.

Një burim i sigurt i ka thënë “Kohës Ditore” se përfaqësuesi i Qeverisë Serbe e ka shtruar këtë kërkesë në kontekst të përafrimit të Serbisë me BE-në dhe NATO-n, duke u bazuar edhe në normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën.

Mirëpo, në BE nuk e kanë parë të arsyeshme të deklarohen për këtë çështje. Kohavisioni i ka dërguar disa pyetje zyrës së përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme, Federica Mogherini, për të cilat nuk ka marrë përgjigje.

Iniciativën e Serbisë nuk e kanë mohuar në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Në një përgjigje për KTV-në, zyrtarët serbë hapësirën ajrore të Kosovës e kanë konsideruar si të tyren duke mos e mohuar kërkesën e bërë në Bashkimin Evropian.

Të izoluar krejtësisht për temën në fjalë, kanë qenë edhe në Qeverinë e Kosovës.