Gruaja e madhe prapa pesë burrave të mëdhenj

  • 26 November 2015 - 21:05
Gruaja e madhe prapa pesë burrave të mëdhenj

Thuhet se, prapa çdo burri të madh (të suksesshëm) qëndron një grua e madhe, por në rastin e Rose Kennedy-s ajo është një grua e madhe, prapa pesë burrave të mëdhenj. Gruaja e ambasadorit Joe Kennedy Sr dhe nëna e presidentit John F Kennedy, senatorëve Robert F dhe Ted Kennedy dhe e heroit të Luftës së Dytë Botërore, Joe Kennedy Jr, Rose ishte një forcë e heshtur në dinastinë politike gjatë 104 viteve të jetës së saj. Falë audio incizimeve, të publikuara tash vonë, dalin në pah të dhëna të reja rreth saj. Derisa audio incizimet kurrë nuk ishin bërë publike, gruaja e Robert Coughlan-it, i cili shkroi memoaret e Rose-s, ia kishte dhënë ato historianit Laurence Leamer pasi kishte vdekur burri i saj në vitin 1992. Leamer, i cili ka shkruar katër libra rreth kësaj familjeje të famshme amerikane-irlandeze, ka shkruar tani një dramë të re, të bazuar në këto audio-incizime, të titulluar “Rose”, e cila pritet që ta ketë premierën më 29 nëntor në Nju- Jork. “Ajo është injoruar nga historia, por ajo ishte personi i vetëm që e jetoi tërë historinë – personi i vetëm që mund të fliste me sinqeritet dhe thellësi rreth tërë asaj që kishte ndodhur”, thotë Leamer, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Image
Image

Depresioni për humbjen e katër djemve

Në mesin e temave të nxehta, të cilat ishin konsideruar tepër kontroverse për memoaret e saj, ishte edhe lobotomia (operacion i trurit) e vajzës së saj Rosemary, në vitin 1941.

Fëmija i tretë i familjes Kennedy, Rosemary kishte lindur me vështirësi kognitive në vitin 1918, dhe kurrë nuk kishte arritur zhvillim më të madh sesa niveli i një fëmije në klasë të katërt. Derisa si adoleshente ishte e dëgjueshme, më vonë Rosemary u bë e prirë ndaj shpërthimeve emocionale dhe filloi që të ikte nga shkolla. Kur ajo kishte vetëm 23 vjet, i ati i saj, Joe Kennedy, në mënyrë sekrete e çoi që t’ia bënte lobotominë, gjë që e la atë të paaftë për tërë jetën e saj. Kur u pyet rreth tragjedisë familjare, Rose përmendi rastin e vajzës së vet, por refuzoi që të elaboronte rreth procedurës. 

“Rosemary-s i kishte ikur mendja tërësisht, për shkak të një aksidenti, rreth të cilit nuk dua që të flas”, kishte thënë Rose, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Gjatë jetës së saj, Rose pa katër fëmijë të saj duke vdekur herët – më i moshuari, Joe, në Luftën e Dytë Botërore, djemtë Jack dhe Bobby të vrarë nga vrasësit, dhe bija Kathleen në një aksident avioni – dhe ajo tregoi sesi familja kishte ndaluar depresionin rreth humbjeve personale.

“Do të ishte egoiste dhe demoralizuese që të përqendroheshim në tragjeditë tona. Kur fëmijët kthehen në shtëpi, ne përpiqemi që të mos flasim rreth këtyre temave”, kishte thënë Rose. “Pas vdekjes së Jack-ut, u thosha nipave se nuk guxojnë që të qajnë në shtëpi. Kush qan, le të kthehet nga ka ardhur”, thotë ajo.

Ne takoheshim me presidentë dhe lordë, mbretër dhe mbretëresha. Kishim para, talent dhe raporte me njëri-tjetrin, ishim shumë të pashëm, prandaj nuk habitesha kur vinte ndonjë tragjedi... Situata ishte tepër e përkryer, që të mund të zgjaste”.

Dhe, derisa familja kishte vuajtur aq shumë vdekje të hershme, saqë shumë filluan që të flisnin rreth mallkimit të familjes, Rose thotë se mundohej që t’i rikujtonte të gjitha momentet e mira që i kishte përjetuar.

Image

Joe kishte pasur shumë afera

Por, Rose tregon se të ishe Kennedy, nuk ishte gjithmonë të jetoje si në përralla.

Rose në mënyrë obsesive kontrollonte peshën e fëmijëve të saj çdo javë. Ajo thotë se fëmijët Kennedy kishin probleme me bark, prandaj nuk mund të hanin ushqime të tilla, si akullorja, psh. 

Ajo po ashtu tregon se, fëmijët që silleshin keq në tryezë, i ndëshkonte me një shkop, ose me varëse palltosh. Besohet se nuk kishte shumë dashuri midis saj dhe burrit të saj, Joe Sr. Martesa e tyre konsiderohej “e interesit”, meqë ajo ishte e bija e kryebashkiakut të Bostonit, John 'Honey Fitz' Fitzgerald, e ai i biri i aksionarit të suksesshëm, me aspirata politike. Gjatë 55 vjetëve të martesës së tyre, thuhet se Joe kishte pasur shumë afera, duke përfshirë edhe ato me aktoret e famshme hollivudiane Gloria Swanson dhe Marlene Dietrich, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Kur kishte 60 vjet, ai kishte filluar një lidhje me sekretaren e tij, Janet Fontaine, e cila asokohe kishte vetëm 24 vjet, lidhje kjo që zgjati nëntë vjet. 

Fontaine thotë se ishte e sigurt që Rose dinte për lidhjen e tyre, por kishte përshtypjen se plaka e familjes Kennedy ishte e lehtësuar që burri i saj kishte gjetur një “shoqe”, duke marrë përgjegjësitë nga ajo.

Edhe pse nuk ishte martuar me dashuri, Rose, sipas Leamurit, ishte e kënaqur me jetën e vet, meqë kishte parë fëmijët e saj duke arritur sukses tepër të madh.

(Kosova Sot) 

 

Image