Sërish drogë në Portin e Durrësit, 113 kg kanabis në kuti këpucësh

  • 26 November 2015 - 22:44
Sërish drogë në Portin e Durrësit, 113 kg kanabis në kuti këpucësh

Një tjetër kamion u ndalua në Portin e Durrësit, i ngarkuar me 113 kilogramë kanabis sativa. Ndryshe nga kamioni që arriti të kalojë në Bari të Italisë para një jave, sot skaneri arriti të dallojë lëndën narkotike të fshehur në brendësi të kamionit me targë ACR 470.

Rreth 120 pako të mbështjella me qese celofoni me peshë 113 kg, ishin fshehur në kuti këpucësh.  Nga ana e uniformave blu u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit Xhaferr Hoxha 39 vjeç, banues në Durrës.

kepuc drogaMësohet se lënda narkotike kishte si destinacion Italinë, ndërsa vijojnë hetimet për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë tentativë trafiku. Pak orë pas ngjarjes, një tjetër operacion i zhvilluar në Tiranë, përfundoi me arrestimin e dy personave që u kapën me 12 kg kanabis sativa.

Policia e Tiranës bën të ditur se, sasia e drogës ishte e fshehur në makinën me të cilin udhëtonin dy të rinjtë. Mësohet se, dy të arrestuarit janë shtetasit Olger Myrtezaj dhe Sokol Durmishllari. Ata u arrestuan teksa u udhëtonin me makinën tip “Golf” me targa “AA 805 AM” drejt Yzberishtit.