Tri motrat preken nga kanceri për një periudhë gjashtë javëshe

  • 26 November 2015 - 23:30
Tri motrat preken nga kanceri për një periudhë gjashtë javëshe

Motrat Katie Warrent, Kristal Ford-Spencer dhe Cassie Ford gjithmonë kanë qenë të pandashme – atyre nuk iu kalon asnjë ditë pa u dëgjuar me njëra-tjetrën. Andaj, kur Katie, 30-vjeçare, ishte diagnostikuar me shkallën e dytë të kancerit në zorrë në vitin 2014, pak kohë pasi nëna e tyre i kishte bërë njëzet vjet që prej e kishte mposhtur kancerin ovarial, e gjithë familja ishte tronditur.  “Pata filluar të kem probleme rreth katër javë pasi e pata lindur vajzën time Abby-n në gusht të vitit 2013, mirëpo mendoja që problemet ishin të ndërlidhura me ushqimin”, ka thënë Katie. “Sa herë që haja diçka më të rëndë kisha dhimbje të stomakut dhe më fryhej stomaku dhe kur në muajin dhjetor dhimbjet m’u patën përkeqësuar, pata vendosur të shkoja për kontroll, për të parë se çka nuk ishte në rregull”, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Nëna e një fëmije i ishte nënshtruar një operacioni emergjent

Pas katër muajve që i kishte kaluar duke iu nënshtruar testeve, doktorët më në fund ia kishin dhënë diagnozën e kancerit në zorrë.  “Për shkak të moshës së re dhe historisë sime shëndetësore, doktorët nuk e kishin menduar se mund të isha prekur nga një çrregullim i tillë. Natyrisht, kam qenë e tronditur në fillim, mirëpo e falënderoja Zotin që nuk ishin motrat e mia, por isha unë”. Nëna e një fëmije i ishte nënshtruar një operacioni emergjent, ku i ishin hequr pjesa më e madhe e zorrëve dhe më pas i ishte nënshtruar kimioterapisë, mirëpo në fund të trajtimit e kishte kuptuar që kanceri i ishte rikthyer. “Tumori kishte filluar të zgjerohej drejt shpinës dhe ishte përhapur edhe në zorrën e hollë – gjë për të cilën doktorët më kanë thënë që është një gjë që ndodh shumë rrallë kur një pacient është duke iu nënshtruar kimioterapisë,  transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Lajmi tragjik

Të nesërmen, Kristal, 33-vjeçare, ia kishte kumtuar një lajm tjetër të keq. Kristal-ës i ishte thënë që kishte një gungë 14 centimetra të lartë në gjirin e saj të majtë dhe si rrjedhojë, doktorët ia kishin caktuar një termin për largimin e kancerit. Në anën tjetër, kur Cassie, 31-vjeçare, ia kishte treguar rastin kolegëve të saj të punës, një doktor ia kishte rekomanduar një kontroll të menjëhershëm, pasi gjasat ishin që edhe ajo të ishte prekur. Ndonëse kishte dyshuar shumë në fjalët e tij, edhe ajo i ishte nënshtruar kontrolleve dhe e kishte kuptuar që edhe ajo ishte prekur nga kanceri i gjirit, që nuk ishte aq i rrezikshëm sa ai i motrës së saj, Kristal. Si rrjedhojë, kësaj here që të tri motrat i ishin nënshtruar kimioterapisë në të njëjtën kohë dhe që të tria i kishin humbur flokët. Tani, Kristal dhe Cassie janë në rrugë të mirë të rikuperimit, ndërsa beteja e Katie-t duhet të vazhdojë edhe më tej, pas marrjes së lajmit tragjik që ka pasur edhe një rishfaqje të kancerit të saj.

(Kosova Sot)