Zaev: Terroristët e Parisit të njëjtë me ata të Kumanovës

  • 27 November 2015 - 14:29
Zaev: Terroristët e Parisit të njëjtë me ata të Kumanovës

“Grupi i armatosur që luftoi në Lagjen e Trimave në Kumanovë më 9 dhe 10 maj të këtij viti janë të njëjtë me profilin e terroristëve të ISIS-it që sulmuan Parisin më 13 nëntor, ndërkohë që krerët e grupit të Kumanovës janë terroristë të ardhur nga luftërat e Sirisë dhe Irakut”.

Kështu ka deklaruar lideri i LSDM-së në Maqedoni Zoran Zaev, dhjetë ditë më parë në një fjalim në Lubjanë, tribunë kjo e organizuar nga instituti slloven IFIMES.

“Ngjarjet e Kumanovës janë gjithashtu një akt terrorist, njëjtë me atë që pamë në Paris, megjithëse me dëme më të vogla. Në Kumanovë vdiqën tetë pjesëtarë të forcave të sigurisë së Maqedonisë dhe 10 terroristë. U arrestuan më shumë se 30 terroristë, ndërsa u plagosën rreth 40 policë. Çfarë ndodhi? Një pjesë e atyre personave të cilët u futën në qendër të Kumanovës, qyteti i dytë për nga madhësia në Maqedoni, janë persona që janë kthyer nga Siria. Persona që kanë luftuar atje, ashtu sikurse janë me siguri edhe ata që u kthyen nga Siria dhe ndërmorën akte terroriste në Paris”, ka thënë Zaev gjatë fjalimit të tij.

Ai në vazhdim ka krahasuar personat në Kumanovë, me personat që i vunë bombë aeroplanin rus që eksplodoi në ajër sapo u nis nga Egjipti.

“Ose, njëjtë sikur ata që vunë bombë në aeroplanin rus. Është keq që e them këtë, por ka lidhje midis rasteve. E para, qytetarët shqiptarë dhe ata maqedonas më 9 dhe 10 maj treguan solidaritet dhe bashkim. Një pjesë e atyre terroristëve janë të besimit mysliman dhe erdhën nga Kosova. Sigurisht, duke menduar se do të kenë mbështetje të qytetarëve shqiptarë të cilët jetojnë në Kumanovë, por edhe në Maqedoni, dhe në të njëjtën mënyrë sikurse në luftën e vitit 2001, do të shkaktojnë konflikt më të gjerë. Qytetarët shqiptarë dhe ata maqedonas u bënë bashkë, nuk dhanë asnjë mbështetje, ndërsa terroristët u eliminuam nga forcat e sigurisë së Maqedonisë. Për fat të keq, vdiqën tetë pjesëtarë të policisë, tetë djem të rinj të forcave tona të sigurisë”, ka thënë lideri i LSDM-së.

Ndryshe, Zaevi një ditë pas luftimeve në Kumanovë – me 11 nëntor, i shoqëruar nga zyrtarë tjerë të partisë, kishte vizituar Lagjen e Trimave në këtë qytet. Ishte takuar dhe fotografuar me shumë banorë të kësaj lagje, ndërsa atëkohë, kishte akuzuar partitë në Qeveri dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme se qëllimshëm kanë montuar rastin.