Policia e Kosovës ende s’e ka arrestuar dhëndrrin e Hoxhajt që po kërkohet nga FBI

  • 27 November 2015 - 15:22
Policia e Kosovës ende s’e ka arrestuar dhëndrrin e Hoxhajt që po kërkohet nga FBI

Policia e Kosovës ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta arrestuar Ymer Shahinin, edhe pse FBI tash e disa muaj po e kërkon. Kosovari dyshohet për dallavere të rënda financiare. Autoritetet kosovare janë në pritje të një komunikimi zyrtar nga FBI, edhe pse ato amerikane e kanë bërë publik urdhër arrestin për biznesmenin nga Kosova.

Edhe pse ka dy javë që kur është raportuar për kosovarin që po kërkohet nga FBI’ja, në Kosovë nuk është marrë asnjë veprim për ta kapur atë. Dyshimet dhe urdhër arresti për Shahinin figurojnë edhe në faqen zyrtare të Agjencisë Hetuese Amerikane (FBI), derisa Policia e Kosovës arsyetohet se nuk ka ndërmarrë asgjë pasi sipas tyre “i njëjti nuk figuron të jetë në kërkim ndërkombëtar”.

Biznesmeni i dyshuar për mashtrime në SHBA është i njohur edhe në vendlindjen e tij. I njëjti figuron edhe në dosjet e Policisë së Kosovës për veprimtari të dyshimta, të natyrës së njëjtë, për çka po e kërkon edhe FBI’ja. Megjithatë, PK nuk lëshohet në detaje nga dosja e Shahinit.

“I. (apo Y.) Sh. i apostrofuar nga ju, është i njohur në bazat e të dhënave që posedon Policia e Kosovës...”, konfirmon zyrtarisht Policia e Kosovës.

E njëjta përgjigje nga këta të fundit ishte dhënë edhe dy javë më parë, pa shtuar apo hequr asnjë pikë apo presje.

“(I apo Y). Sh. i apostrofuari nga ju, është i njohur në data bazat që posedon Policia e Kosovës, por i njëjti deri në këto momente nuk figuron të jetë në kërkim ndërkombëtar”, ishte përgjigja e PK’së me 12 Nëntor 2015.

Gazeta Express ka provuar ta kontaktojë Shahinin, por kontakti me të ka qenë i pamundur. Atë nuk e kemi gjetur as në zyrën e firmës së tij për arka fiskale që ndodhet në lagjen “Bregu i Diellit”, në Prishtinë.

Shahini, autoriteteve amerikane dyshohet se u ka shpëtuar nga duart për shkak të emrit të tij. Në Kosovë ai është i regjistruar me emrin 'Imer' ndërsa në ShBA me 'Ymer'. Emri i dytë figuron edhe në kërkimet e FBI’së.

Skema e mashtrimeve në SHBA dhe ‘dallaveret’ në Kosovë

Ymer Shahini është në mesin e shtatë personave të akuzuar nga FBI’ja për përfitim të jashtëligjshëm dhe mashtrim në Distriktin Jugor të New York'ut. Kosovari, në bashkëveprim me gjashtë persona të tjerë, disa prej tyre tashmë të arrestuar, akuzohen se ilegalisht kanë përfituar 20 milionë dollarë përmes mashtrimeve. Për këto akuza kosovari mund të dënohet deri në 65 viteve heqje lirie, si dhe rreth 6 milionë dollarë dënim në të holla

Shahini, që disa kohë është kthyer në vendlindjen e tij dhe banon në Prishtinë. Në kryeqytetin kosovar, Ymer Shahini, apo i njohur edhe si Imer Shahini, figuron të jetë drejtor i një biznesi të licencuar nga ATK’ja për fiskalizim, “Printec L.L.C” dhe bashkëpronar në kompaninë “Dorian & Pan Illyrian Partnership”. Ortaku i tij në këtë të dytën është një nga bashkëpunëtorët e tij edhe në skemën e mashtrimeve që e ka hetuar FBI’ja, Jason Woodruff Galanis.

Derisa si drejtor i “Printec L.L.C.”, Shahini ka qenë disa herë fitues i tenderëve milionësh në Ministrinë e Shëndetësisë. Nga tenderët që firma e tij kishte marrë për të implementuar, është edhe ai i ndërtimit të një sistemi informativ për shëndetësi. Projekti tash e tri vjet ka ngecur, për shkak të dyshimeve se Ymer Shahini ka mashtruar një kompani partnere që bashkë ishte dashur ta përfundonin projektin në fjalë duke e paraqitur në kontratë një firmë fantome. E sipas kontratës, partneret e Shahinit, parashiheshin të kryenin pjesën më të madhe të punës. Kjo pasi firma “Printec L.L.C.” është vetëm kompani e arkave fiskale, ndërsa partneri i saj detyrohej të përfundonte infrastrukturën aktive, për të cilën edhe janë të specializuar.

Tenderin në fjalë është hulumtuar në një raport të emisionit “Në Vëzhgim” që transmetohet në RTK.

Skema e mashtrimit, që në mesin e 7 personave se dyshohet se e kanë kryer është edhe kosovari Ymer Shahini, parashihte që fshehurazi të merreshin nën kontroll miliona aksione të kompanisë “Gerova Financial Group Ltd”, të cilat fshehurazi do të duhej edhe të shiteshin.

Plani parashihte që gjysma e këtyre aksioneve t’i kalonin në pronësi Shahinit. E për tu realizuar kjo skemë, Vëllezërit Galanis, po ashtu të akuzuar nga FBI’ja për mashtrim dhe përfitim të jashtëligjshëm, ishin përkujdesur t’ia hapnin një llogari Shahinit, “Shahini Accounts”, ku do të kaloheshin aksionet e shitura fshehurazi në mënyrë që në “Gerova” të mos vihej re se kush ishte pronari i vërtetë i tyre. Rrjedhimisht, njeri prej vëllezërve Galanis, Jason, do të vazhdonte ta mbante nën kontroll kompaninë “Gerova” duke përfituar gjithashtu miliona para dhe duke vazhduar ta kontrollonte tregun edhe nga shitja e stoqeve të Gerova’s. Deri në fund të kësaj kurdisjeje, ky grup përfitoi përmes mashtrimit 20 milionë dollarë.

Ymer Shahini, i cili po ashtu ka edhe nënshtetësi kanadeze, ku edhe kishte jetuar për disa vite, është kunati i ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, që aktualisht përveç se është deputet i Kuvendit të Kosovë udhëheq edhe Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme.