Fakte të reja për demarkacionin me Malin e Zi - edhe më rrezik do ta kemi me Serbinë

  • 27 November 2015 - 15:44
Fakte të reja për demarkacionin me Malin e Zi - edhe më rrezik do ta kemi me Serbinë

Edhe pse Kosova nuk posedon harta topografike, megjithatë ka fakte të bollshme për t’u përballur vendi ynë me çfarë do lloj grupi të ekspertëve ndërkombëtarë për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Kështu vlerëson profesori i gjeografisë në Universitetin e Prishtinës, Florim Isufi.

Ai bazohet në të gjeturat e tij të reja, që janë fakte shkencore dhe harta hartografike.

Profesori thotë se nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, Kosova ka humbur një pjesë të konsiderueshme të territorit, që sipas tij janë 8 mijë e 229 hektarë.

Por ai beson se kjo çështje mund të zgjidhet shumë lehtë dhe shpreson se me rishikimin e marrëveshjes me Malin e Zi kjo do të rregullohet.

Mirëpo, Isufi tregon se Kosova problemin më të madh në të ardhmen do ta ketë për demarkacionin me Serbinë.

Sipas tij, duhet një kujdes i shtuar dhe qasje tjetër nga institucionet tona kur të vije koha të bëhet marrëveshje me Serbinë.

Kurse, edhe pse pretendohet se Kosova ka humbur 2 mijë e 500 hektarë me Maqedoninë gjatë demarkacionit vite me parë, profesori thotë se nuk është marrë me atë problematikë dhe faktikisht nuk ka njohuri lidhur me atë vijë kufitare, por me vijën kufitare të Malit të Zi ai tha se ka njohuri të bollshme.

Si rrjedhojë e kësaj, ai thotë se vetëm kufiri i vitit 1945 dhe i modifikuar më 1958 është kufi real i Kosovës.

Ai nuk ka fajësuar Komisionin shtetëror për demarkacion se nuk ka punuar, por qasja sipas tij ka qenë e gabuar në këtë problematikë.

Profesori thekson se zakonisht bazohen në fakte hartografike dhe ato sipas tij janë edhe faktike.

“Fakte për me arsyetuar demarkacionin kemi, sepse fakte ka. Nuk është se Komisioni shtetëror për demarkacion nuk ka punuar. Mes tyre dhe neve qëndron vetëm një dallim, qëndron koncepti i qasjes së problematikës, pra këtu është ai dallimi i vogël. Ndërsa, fakte hartografike ka, zakonisht bazohemi në fakte hartografike ato janë edhe faktike. Janë pamje që flasin sa mijëra e mijëra”, thotë Isufi për KosovaPress.

Isufi kërkon nga Komisioni shtetëror të mos heq dorë prej punës së vet, dhe t’ i marr parasysh faktet dhe hulumtimet e tyre.

Vetëm të bashkuar ai thotë se gjërat mund të shkojnë përpara.

Ndër problemet e mëdha për marrëveshje të demarkacioneve me shtetet fqinje, profesori e sheh atë me Serbinë - në të ardhmen, nëse veç shkohet me konceptin e njëjtë sikur me Malin e Zi.
Ai konsideron se numër i madh i popullatës kur ishin pjesë e shtetit të ashtuquajtur Jugosllavi, nuk i kanë përkthyer pronat e tyre.

Pronat, sipas tij, kanë mbetur ndoshta jo te baballarët, por te gjyshërit ose stërgjyshërit e disa pronarëve serbë që janë këtu dhe këto sjellin probleme që mund të jenë të mëdha.

Sa i përket mungesës së hartave topografike në Kosovë, profesori thotë se duhet të kemi Institut Hartografik të përgatitur profesionalisht, së bashku me instrumentet e caktuara të cilat do të jepnin produktin e vet që është harta topografike e shkallëve të ndryshme, po meqenëse më herët nuk ka pasur Institut të tillë ka qenë shumë vështirë të kishim harta të tilla topografike, meqë Kosova ka qenë nën juridiksionin e Jugosllavisë.

Në atë kohë ka qenë vetëm një Institut Gjeografik Ushtarak i ish-Jugosllavisë i cili ka punuar hartat topografike për gjithë territorin e Jugosllavisë.