Nishani, mesazh politikanëve të Kosovës: Reflektojeni vullnetin e qytetarëve (Video)

  • 27 November 2015 - 18:44
Nishani, mesazh politikanëve të Kosovës: Reflektojeni vullnetin e qytetarëve (Video)

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, në prag të 28 Nëntorit, në një intervistë ka thënë se shqiptarët janë shumë më përpara sesa që kanë qenë disa vjet më herët.

Sipas tij, shqiptarët si popull kanë kapacitet të arrijnë më shumë, duke shtuar se është e papranueshme që qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin pa viza nëpër vendet e BE-së.

Ai ka folur edhe mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke theksuar se numri i madh i votave që mori Kosova tregon që ky shtet ka shumë miq.

“Nuk duhet ta konsiderojmë mos anëtarësimin në UNESCO si një dështim, sepse dështimet na bëjnë të brengosur dhe na konsumojnë energjinë. Kemi të bëjmë me një hap kurajoz, sepse votimi i një numri të madh të vendeve të botës pro Kosovës në asamblenë e UNESCO-s, ka treguar që Kosova ka mjaft miq. Pastaj, koordinimi dhe angazhimi i fuqive botërore përkrah Kosovës, tregoi edhe njëherë se akterët kryesorë botërorë janë në krahun e shtetit më të ri në Evropë”, ka thënë Nishani.

Duke folur për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian (BE), ai ka theksuar se BE-ja është destinacioni i vetëm për shqiptarët dhe se nuk ka alternativë tjetër për këtë.

“Ne jemi të interesuar që të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët të jenë të konsoliduara në këtë proces. BE-ja si destinacion realizon objektivat dhe qëllimet tona politike si popull”, ka shtuar Nishani.

Presidenti i Shqipërisë, duke folur për liberalizimin e vizave për Kosovën, theksoi se “izolimi nuk i përgjigjet realitetit dhe frymës evropiane”.

“Vet bashkëpunimi i një vendi, i një populli, i një shteti me BE-në nuk lehtësohet kur një vend dhe një shoqëri si ajo e Kosovës mbetet e izoluar”, ka thënë ai  në emisionin “Info Box” në RTV Dukagjini.

Nishani, duke e komentuar krizën politike në Kosovë, ka bërë thirrje që klasa politike kosovare ta reflektojë vullnetin e qytetarëve që kërkojnë përmirësimin e imazhit të tyre dhe të ndikojë në çuarjen përpara të demokracisë dhe zhvillimit të shtetit.