Paraburgimin Donika Kadaj-Bujupit e vazhdoi djali i anëtarit të LDK’së

  • 27 November 2015 - 19:41
Paraburgimin Donika Kadaj-Bujupit e vazhdoi djali i anëtarit të LDK’së

Prokuroria e Shtetit mohon se është ndikuar nga deklaratat e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, kur vetëm një ditë pas tyre shkoi për t’i arrestuar deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Prokuroria e Shtetit ka thënë për KTV’në se po e trajton këtë rast më me prioritet vetëm për faktin se veprat penale, po përsëriten vazhdimisht nga deputetët. Në fakt, edhe Gjykata ka përdorur standarde të dyfishta për deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë, KohaVisioni ka mësuar se kryetari i trupit gjykues në Apel, që la Donika Kadaj - Bujupin për 1 muaj në paraburgim, është djali i Halit Muharremit, ish-këshilltar i Ibrahim Rugovës dhe i afërt me LDK-në e Isa Mustafës.

E njëjta Gjykatë, e ka liruar Ukë Rugovën nga paraburgimi vetëm një vit më herët. Një nga arsyet ishte çështja e imunitetit, çka nuk është marrë parasysh në rastin e shefes së grupit parlamentar të AAK-së.

Policia e Kosovës po vazhdon t’i kërkojë Albulena Haxhiun, Faton Topallin dhe Albin Kurtin e Vetëvendosjes. Ky i fundit në një intervistë për KTV-në ka thënë se do të jetë i pranishëm në manifestimin për 28 nëntor në sheshin “Zahir Pajaziti”.