Jahjaga: Zgjidhjet janë përbrenda institucioneve, rruga nuk është zgjidhje

  • 27 November 2015 - 20:55
Jahjaga: Zgjidhjet janë përbrenda institucioneve, rruga nuk është zgjidhje

Në Ditën e Forcës dhe në prag të 28 Nëntorit Presidentja e Republikës Atifete Jahjaga tha se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe se të gjithë duhet të angazhohen për të punuar më shumë. Jahjaga tha se rruga asnjëherë nuk ka qenë zgjidhje e problemeve.

“Progresi në Kosovë është një progres i jashtëzakonshëm dhe neve këtë progres nuk duhet ta vendosim në pikëpyetje dhe nuk duhet dyshim jo vetëm për qytetarët tanë por as për aleatët tanë dhe përkrahësit tanë të fuqishëm që kemi pasur në këto dy dekadat e fundit.Kosova është në një momentum që neve nuk duhet të humbim kohë sepse kemi shumë procese para vetës të cilat kërkojnë një angazhim maksimal të të gjitha institucioneve tona, të Qeverisë, të Kuvendit dhe unë kam theksuar dhe veçanërisht në këto dy muajt e fundit rruga asnjëherë nuk ka qenë zgjidhje dhe kjo është duke dëmtuar rëndë proceset nëpër të cilat vendi ynë po kalon dhe kjo është duke e dëmtuar rëndë imazhin tonë”, tha Jahjaga.

Ajo ritheksoi se zgjidhjet janë brenda institucioneve dhe jo në rrugë.

“Festa është festë dhe festa duhet të mbahet si festë për hir të qytetarëve tanë dhe neve kemi pasur edhe një traditë dhe kohë të gjatë që kemi ditur t’i ndajmë gjërat, zgjidhjet janë përbrenda institucioneve, rruga nuk është zgjidhje”, tha Jahjaga.