12 vjeçari shpëtoi vëllain nga vdekja, pasi ishte prekur nga leukemia

  • 27 November 2015 - 21:19
12 vjeçari shpëtoi vëllain nga vdekja, pasi ishte prekur nga leukemia

Një djalosh dymbëdhjetëvjeçar e ka shpëtuar vëllain e tij, Louis-in nga vdekja pasi ai ishte i prekur nga leukemia. Kjo është bërë nëpërmjet transplantimit të suksesshëm të palcës kurrizore. Nëna e Jack Thomson-it, Caroline, ka thënë që tani i quan që të dy djemtë e saj me fjalën ‘superheronj’ për shkak të kurajës dhe vendosmërisë së tyre. Familja ishte tronditur vitin e kaluar kur Louis-i gjashtëvjeçar ishte diagnostikuar me leukemi dhe ishte ballafaquar me një të ardhme të pasigurt. Mirëpo, kur ishte bërë e ditur që Jack-u ishte donator i përkryer për transplantim të palcës kockore, ky i fundit kishte qenë më shumë se i gatshëm për t’i ndihmuar vëllait të tij të vogël për të mbijetuar. Caroline, 41-vjeçare, nga Gllasgou i Skocisë, ka thënë: “I quaj të bijtë e mi superheronj, sepse të tillë janë. Kur Louis-i u pati diagnostikuar me leukemi, unë nuk pata ngrënë as pirë për disa ditë. Do të bëja gjithçka për djemtë e mi dhe nëse do të ekzistonte ndonjë mënyrë për ta marrë leukeminë nga biri im, për ta vendosur në mua, do ta kisha bërë menjëherë. Kam qenë tejet e tendosur, mirëpo djemtë e mi kanë qenë të mrekullueshëm. Louis-i ka qenë shumë i përkushtuar për të kaluar nëpër këto pengesa dhe Jack-u ka shprehur gatishmërinë, duke dashur që t’i ndihmonte vëllait të tij. Kanë qenë të afërt edhe para se kjo të ndodhte, mirëpo mendoj që tani janë edhe më të afërt. Jam shumë krenare dhe fatlume që kam djem të tillë”, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Image

 “Ky ka qenë momenti i tronditjes sime”

Jack dhe Louis tani janë bashkuar përsëri për lansimin e kampanjës ‘Star Awards’ të këtij viti, kampanjë kjo që organizohet për nder të kurajës së fëmijëve që luftojnë me këtë sëmundje vdekjeprurëse. Caroline dhe babai i fëmijëve, James-i 41-vjeçar, e kujtojnë fare mirë momentin kur jetët e tyre kishin ndryshuar krejtësisht, pasi që më 24 korrik të vitit të kaluar testet kishin treguar që Louis-i vuante nga leukemia akute. Ai ishte dërguar tek doktori pasi që ishte ankuar se kishte dhimbje të qafës dhe këmbëve si dhe ndjente lodhje të vazhdueshme. Kishin qenë edhe mavijosjet në trup dhe shenjat e kuqe në lëkurë ato që kishin ngrehur alarmin dhe si rrjedhojë ai ishte dërguar për testim në spitalin e fëmijëve në Jorkhill.  “Ky ka qenë momenti i tronditjes sime. Një këshilltar më pati dërguar në zyrë për të më treguar se testet e gjakut kishin lënë të kuptohej që Louis-i vuante nga leukemia. Gjithçka ka ndodhur aq shpejt saqë unë nuk mund ta besoja. Të gjitha simptomat që im bir i kishte përjetuar ishin shenja të leukemisë. Ndihesha sikur gjithçka tjetër në jetën time ishte ndalur për një moment”, ka thënë Caroline.  transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Image

Kimioterapia nuk po funksiononte sa duhej

Për shkak të rreziqeve nga infektimet, Louis-i ishte futur në një izolim total, duke mos pasur kontakt as me shokët e as me familjarët, për shumicën e kohës kur po i nënshtrohej raundit të parë të kimioterapisë. Pas përfundimit të këtij raundi, familja kishte përjetuar edhe një goditje tjetër, kur në muajin gusht të atij viti ishte bërë e ditur që në trupin e tij kishin mbetur 35 për qind e qelizave të leukemisë. Caroline ka thënë: “Na patën dërguar përsëri në të njëjtën dhomë për të na e shpjeguar që kimioterapia nuk po funksiononte sa duhej. Meqë qëllimi nuk ishte arritur – rrëzimi i nivelit të qelizave të leukemisë nën pesë për qind – hapi i radhës ishte transplantimi i palcës. Na patën testuar mua, James-in dhe Jack-un për të parë nëse ndonjëri prej nesh ishim donator i përshtatshëm. Më pas na patën thënë që Jack-u ishte donator i përkryer. Qaja nga gëzimi. E dinim që nëse Jack-u nuk do të dëshironte ta bënte këtë, ne nuk do të mund ta detyronim. Mirëpo ai pati thënë po me të parën, pasi që dëshironte ta shpëtonte vëllain e tij. Unë mendoj që Louis-i ende nuk e di se çka saktësisht ka bërë Jack-u për të, vetëm se është i sigurt që vëllai i tij i ka ndihmuar që të shërohet”. Më 3 dhjetor të vitit të kaluar, Jack-u i ishte nënshtruar ndërhyrjes ku doktorët ia kishin marrë një sasi të qelizave të shëndosha të palcës, të cilat më pas ishin transferuar tek vëllai i tij. Ndërsa, në kohën e Krishtlindjeve, në dhomën e Louis-it ishte lejuar mysafiri i parë, shpëtimtari i tij, që bashkë me vëllain e tij të vogël i kishin hapur dhuratat e Krishtlindjeve.

(Kosova Sot)