Imamët dhe priftërinjtë e Klinës bashkohen në futboll (Video)

  • 27 November 2015 - 22:09
Imamët dhe priftërinjtë e Klinës bashkohen në futboll (Video)

Rezultati ishte gjëja e fundit që mund t'u ketë bërë përshtypje sot lojtarëve në fushë dhe shikuesve të pranishëm.

Imamët dhe priftërinjtë e Klinës u mblodhën në një fushë futbolli, luajtën për 30 minuta dhe i dërguan botës një mesazh të paqes dhe harmonisë ndërfetare.

Ndeshja përfundoi me rezultatin 8:0 në favor të imamëve, por ajo çka ata morën me vete nuk ishte ndonjë titull kampioni apo kupë.

Ata që lanë për pak orë prapa vetes obligimet fetare karshi besimtarëve, dhanë një mesazh që i mungon shumë botës në ditët e sotme.

Për t’u mbledhur në fushë futbolli, imamët dhe priftërinjtë e Klinës shfrytëzuan vigjilien e 28 Nëntorit.

Don Lorenc Sopi, Famullitar i Kishës Katolike në Klinë, thekson se një organizimi tillë ka për qëllim dërgimin e mesazheve të paqes dhe bashkëpunimit ndër fetar për nder të ditës më të madhe të historisë së shqiptarëve, Ditën e Flamurit.

“Dhe kjo ka për qëllim të një kremtimi të përbashkët dhe përçimit të një mesazhi të mirë të bashkëpunimit nder fetar në mes popullit”, tha Sopi për KALLXO.com.

Ai u shpreh se uniteti i popullit shqiptar është më se i domosdoshëm pavarësisht dallimeve fetare.

Ndërsa Kryetari i Komunës se Klinës, Sokol Bashota, nën patronatin e të cilit është organizuar një ndeshje e tillë, theksoi se Komuna e Klinës është barometri më i mirë i tolerancës fetare që mund të merret si shembull për t’u ndjekur.

“Komuna e Klinës deri më tani ka demonstruar në vazhdimësi tolerancën ndërfetare fetare. Ne ketë e kemi demonstruar jo vetëm me ndeja për festa fetare,apo vetëm duke i uruar njeri tjetrit për festa, por edhe me evenimente të tilla”, tha Bashota për KALLXO.com.

I kënaqur me rezultatin e lojës, u shpreh Nënkryetari i Bashkësisë Islame Në Klinë, Fitim Bojaj, i cili deklaroi se pavarësisht rezultatit, qëllimi i këtij takimi ishte më i madh se sa fituesi.

“Po... u ndamë të kënaqur me rezultatin...më shumë ishte një lojë miqësore se sa rezultatin në fund, por edhe fitorja është pjesë e lojës. Normal që në futboll ka edhe rivalitet”, tha Bojaj për KALLXO.com.

Në fund të këtij takimi si Don Lorenc Sopi ashtu edhe imami Fitim Bojaj, patën porosi të përbashkët për qytetarët në ketë ditë të shënuar.

“Sigurisht që kur është në pyetje përçarja e popullit, atëherë feja e shqiptarit është shqiptaria, siç ka thënë edhe i madhi Pashko Vasa”, tha Sopi.

“Nëse ne e kemi lakmi botën për zhvillim, për civilizim arsimim, bota na ka lakmi për tolerancën fetare qe ekziston në trojet shqiptare”, tha Bojaj.