Fëmija që u rrëzua duke lozur vuan nga tumori

  • 27 November 2015 - 22:19
Fëmija që u rrëzua duke lozur vuan nga tumori

Një djalosh katërvjeçar, i cili është rrëzuar teksa ka qenë duke luajtur, është diagnostikuar me tumor në tru, që prek vetëm 100 milionë njerëz. Joshua McCormack, Lansashajëri i Anglisë, është njëri nga vetëm 66 njerëzit në botë që janë të prekur nga tumori agresiv-primitiv neuroektodermal në tru. Ai i është nënshtruar operacionit për ta larguar tumorin dhe tani ka nevojë për radioterapi dhe kimioterapi. Mirëpo, sa për t’i përkeqësuar gjërat, doktorët i kanë thënë prindërve të tij që trajtimi, për të cilin ai ka aq shumë nevojë, do ta lërë atë të gjymtuar, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Rezultatet e tmerrshme nga skanimi

Nëna e tij, Nicola, ka thënë që do të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për ta mbajtur të birin të saj të gjallë. Ajo ka thënë: “Është e tmerrshme pasi ai është shumë i mençur. Muajin e kaluar  ai ka qenë një djalë i zakonshëm, sikur të gjithë bashkëmoshatarët e tij, ndërsa tani është duke jetuar në ankth. Po më vret kur po e shoh në këtë gjendje dhe nuk po kam mundësi t’i ndihmojë”. Problemet kishin filluar më 15 tetor kur Joshua ishte rrëzuar në një kënd lojërash. Për më shumë se një javë ai kishte përjetuar marramendje dhe si rrjedhojë prindërit e kishin dërguar në kontroll më 26 tetor. Doktorët fillimisht kishin bërë disa observime dhe rezultatet kishin dalë krejtësisht të përkryera. Mirëpo zonja McCormack e kishte ditur që diçka nuk ishte në rregull me të birin e saj dhe si rrjedhojë kishte kërkuar edhe një skanim. Ai ishte dërguar në Spitalin Mbretëror në Olldhëm, rezultatet e të cilit kishin treguar për një tumor të tmerrshëm në tru.

Vështirësi në të mësuar

Pas një operacioni, falë të cilit ishte larguar 75 për qind e masës së tumorit, Joshua tani është detyruar t’i nënshtrohet kimioterapisë dhe radioterapisë. Kjo nënkupton që kafka dhe shpina e tij nuk do të zhvillohen përtej masave të tanishme. Ai gjithashtu do të mbetet edhe me humbje të kujtesës, vështirësi në të mësuar, probleme me zemër dhe veshkë dhe do të jetë në përgjithësi i plogësht. Familja zemërthyer fillimisht kishin planifikuar që t’i mblidhnin 100.000 euro për ta dërguar të birin e tyre në Munih të Gjermanisë, për një trajtim me preciz të tumorit të tij, trajtim ky që do të fokusohej plotësisht në masën e tumorit, duke shkaktuar më pak dëme në pjesët tjera të trurit dhe trupit të tij. Megjithatë, zonjës McCormack dhe bashkëshortit të saj, Kevin-it, iu është thënë që nëse Joshua nuk e fillon trajtimin me radioterapi deri më 7 dhjetor, gjasat e tij për të mbijetuar do të bien në 20 për qind. McCormack, 35-vjeçare, ka thënë: “Si rrjedhojë, nuk kishim mundësi tjera. Nuk kemi pasur kohë për t’u përgatitur për terapinë në Munih. I është nënshtruar një operacioni të madh më 10 nëntor dhe gjasat për të mbijetuar mbeteshin të mëdha vetëm nëse ai e fillonte trajtimin brenda katër javësh. Është dashur ta bënim një gjë të tillë”.

(Kosova Sot)