Protestantët e Kosovës kërkojnë varreza të posaçme

  • 28 November 2015 - 08:31
Protestantët e Kosovës kërkojnë varreza të posaçme

Femi Cakolli është protestant dhe kur të vdes nuk dëshiron të varroset në varrezat e kryeqytetit në Arbëri.

Kisha Protestante ka kohë që ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të ketë varreza të posaçme dhe që pjesëtarët e komunitetit të saj të mos varrosen në këtë hapësirë që, sipas Cakollit, njihen si varreza myslimane.

Myslimanë, ateistë e protestantë varrosen këtu. Madje, ata që menaxhojnë me varrezat thonë se është e vërtetë që shumica e varrezave janë të kthyera nga kibla. Sipas tyre, janë të shumtë ata që varrosen pa hoxhë dhe që kërkojnë që varri të jetë i kthyer nga perëndimi.

Kërkesa e protestantëve mund të realizohet vetëm nëse ndërrohet rregullorja për menaxhimin e varrezave thonë në komunë, ku insistojnë që ato nuk janë varreza myslimane.

Megjithatë, para objektit të ri të Komunës së Prishtinës, janë varrezat ortodokse, katolike e hebreje. Për protestantët ka shkruar edhe Departamenti i Shtetit Amerikan që ka kërkuar që ky komunitet të ketë varrezat e tyre në Prishtinë.

KTV-ja merr vesh se së fundmi është diskutuar që këto varreza të jenë te katolikët e ortodoksët dhe pranë Ambasadës Amerikane.

Pranë objektit që do të ndërtohet është thënë të ndërtohet edhe kisha protestante, por që, sipas kryetarit Shpend Ahmeti, në këtë vend do të ndërtohet një shkollë.

Ndryshe protestantët nuk kanë marrë leje nga komuna për ndërtimin e kishës protestante në Sofali. Për këtë ka pasur polemika edhe në Kuvendin Komunal të Prishtinës.