Dhuna në familje dëmton të ardhmen e shoqërisë shqiptare

  • 28 November 2015 - 08:58
Dhuna në familje dëmton të ardhmen e shoqërisë shqiptare

Në Gjilan kanë filluar aktivitetet për shënimin ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore, të cilat do të zgjasin deri më 10 dhjetor, kur shënohet dita për të drejtat e njeriut.

“Fushata është një thirrje për eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave”, thotë Vjollca Jakupi, koordinatore komunale e mekanizmit koordinues kundër dhunës në familje, raporton korrespondenti i gazetës Kosova Sot Online.

Edhe komuna e Gjilanit, me përkrahjen e kryetarit Lutfi Haziri ka bërë hapjen e fushatës 16 ditore  të aktivizimit kundër dhunës gjinore, ku pjesëmarrës janë edhe organizatat  joqeveritare si Qendra Rinore, Gruaja Hyjnoresi dhe Dita Gsh.

Aktivitetet janë hapur para objektit të muzeut të qytetit, i cili nga pjesëmarrësit është ndriçuar portokalli, ngjyrë kjo që simbolizon një të ardhme pa dhunë, për të vijuar me një parakalim të çiklistëve, po ashtu të veshur portokalli dhe aktivitete të tjera.

Organizatori ka ftuar pjesëmarrësit dhe të gjithë qytetarët që energjinë, idetë dhe burimet e tyre t`i vënë në funksion të zhdukjes së dhunës në baza gjinore, duke i dhënë vëmendje këtij problemi jo vetëm gjatë këtyre 16 ditëve, por gjatë tërë vitit dhe gjatë dekadave që do të vijnë. Aktiviteteve kundër dhunës i janë bashkëngjitur shumëqytetarë. Edhe Lutfi Haziri, kryetari i Komunës, ishte pjesëmarrës në këtë fushatë.

Përndryshe, Gjilani njihet si qytet i qetë, në përgjithësi, por nuk është krejtësisht imun ndaj kësaj dukurie, sepse rastet edhunës janë të pranishme edhe këtu. Organizatori shpreson se aktivitetet e ndryshme të këtyre 16-ditëve do të ndikojnë në ngritjen e vetëdijes qytetare në këtë drejtim.

“Mesazhi ynë për burrat dhe për djemtë, është që të ndalin dhunën ndaj grave, t`i respektojnë femrat, t`i denoncojnë rastet e dhunshme dhe kurrë mos të praktikojnë personalisht dhunë”, ka thënë Jakupi.

Fushata e 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave është një traditë që ka nisur në vitin 1991, nga Instituti i Parë i Lidershipit Global të Grave. Aktivitetet shtrihen nga Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Grave deri te Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, për t`i ndërlidhur këto dy data si simbolikë e përforcimit të mesazhit se dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut.

(Kosova Sot)