“Shpërblehet” pensionisti italian që vrau shqiptarin

  • 28 November 2015 - 09:51
“Shpërblehet” pensionisti italian që vrau shqiptarin

Ishte një njeri krejt i panjohur, në moshë të thyer, por mendja iu shkrep t’i futet politikës krejt papritur, për vetë faktin se tashmë ai është bërë i njohur se ka shkrehur armë dhe vrarë një të ri, djalin vetëm 22 vjeç, shqiptarin Gjergj Gjoni nga Puka.

Pensionisti Francesco Sicignano do të kandidojë si këshilltar lokal për partinë “Forca Italia” të Silvio Berluskonit.

“Kam një respekt të madh për Silvio Berluskonin. Gjatë gjithë jetës sime kam votuar për Lëvizjen Socialiste Italiane, derisa në zgjedhjet e fundit vota ime ka qenë për Forca Italia. Ne punojmë për pronën, që është e drejtë e shenjtë për t’u mbrojtur. Kjo nuk do të thotë se çdokush duhet të ketë armë, por ata që dinë sesi t’i menaxhojnë”.

Kështu tha Sicignano dhe ka bërë sërish bujë me deklaratat e tij, pasi jo vetëm nuk ka një grimë të vogël vrasje ndërgjegjeje për vrasjen, por ka marrë aq guxim dhe energji sa tashmë vendosi t’i futet seriozisht politikës.

Për të hetimet ende vijojnë, pasi edhe Prokuroria e Milanos ka dyshime të forta se Gjoni nuk u qëllua brenda banesës siç pretendon i moshuari, por jashtë saj, në shkallët e fundit të vilës.

Një plumb në shpinë që më pas i përshkoi zemrën i mori jetën të riut mbrëmjen e 20 tetorit të këtij viti dhe fillimisht u tha se kishte shkuar për ta grabitur, por nga dëshmitë e marra doli se Gjoni njihej me Sicignanon dhe madje kishte punuar për të.

Aludimet shkuan më tej kur u deklarua se 22-vjeçari nuk u nis për të grabitur, por kërkuar paratë e punës së kryer. Ende pa u mbyllur kjo dosje, vjen lajmi tjetër që më shumë se një “tekë” e 65-vjeçarit, është një “sensibilizim”, gati në formë racizmi. Shumë qytetarë qëndronin poshtë shtëpisë së tij pak kohë pas krimit duke i dhënë mbështetje.

Ndërsa qytetarë të tjerë nuk ishin aspak dakord me krimin e kryer, sipas tyre duhet të ishte qëlluar fillimisht në ajër për ta trembur dhe më pas të lajmërohej policia që ta arrestonte.

Por duket se ka fituar pjesa tjetër që e mbështet veprimin e tij, që në çdo rast quhet një vrasje, ndonëse 65-vjeçari pavarësisht deklarimeve të tij kontradiktore pretendon se u vetëmbrojt.

Po nëse ky 22-vjeçar do të ishte një shtetas italian?

Kjo është pikëpyetja më e madhe që del në këtë rast. Familja e 22-vjeçarit Gjoni në Pukë, veç humbjes së të birit do i duhet të përballojë edhe faktin që njeriu që i mori jetën djalit, jo vetëm ka sfiduar drejtësinë, por po bën karrierë politike.

“Ne nuk duam të jemi parti “far west”, por duam siguri për të gjithë qytetarët në shtëpitë e tyre që i kanë ndërtuar pas shumë vitesh sakrifica”,  tha Fabio Altitonante, koordinator kombëtar i Forca Italia-s.

Kjo vrasje solli debate edhe në rrafshin e lartë politik.

Kryeministri Matteo Renzi deklaroi se nuk mund të bëhet hero një person që ka vrarë, pa u dhënë ende një vendim nga gjykata, “pasi ai ka vrarë”.

Nga ana tjetër, kreu i Lega Nord, Matteo Salvini u shpreh se pensionisti duhet nderuar dhe jo të hetohet.